Hoti: Kosova është një ëndërr e realizuar e të gjithë atyre që sakrifikuan çdo gjë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në fjalimin e tij në ceremoninë solemne për shënimin e 13-vjetorit të pavarësisë, ka thënë se Kosova është një ëndërr e realizuar e të gjithë atyre që sakrifikuan çdo gjë për liri.

“Përvjetorët janë momente të qarta për të kujtuar ata që sakrifikuan çdo gjë për realizmin e aspiratës shekullore për liri dhe pavarësi. Sot me shumë mirënjohje përkulemi para kontributit të të gjithë atyre që ndoqën rezistencën paqësore dhe ushtarake dhe para gjakut të dëshmorëve”, tha Hoti.

Hoti shtoi se në ditët si këto ne marrim fuqinë dhe përkushtohemi për borxhin që i kemi ndaj fëmijëve tanë që Kosovën ta bëjmë vend të realizimit të ëndrrave për të gjithë qytetarët.

“Pavarësia është ëndërr e realizuar e gjeneratave që sakrifikuan çdo gjë. Sot në përvjetorin e 13 të shtetësisë tonë, festojmë ëndrrën e realizuar të heronjve për ti dhënë mundësi këtyre djemve dhe vajzave për t’u rreshtuar me krenari në radhët e ushtrisë që forcon themelet e shtetësisë tonë”, tha Hoti.

Ai shtoi se ende mbetët shumë punë për të realizuar aspiratën për integrime euroatlantike.

Në shënimin e manifestimit qendror në Kazermën “Adem Jashari”, kanë marrë pjesë ambasadorë të vendeve të QUINT-it, ministri në detyrë Anton Quni, ish komandanti i FSK-së, Sylejman Selimi dhe ish-ministri Agim Çeku.