Hoti: Sulmi ndaj gazetarëve, përpjekje për kufizim të lirisë së shprehjes

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar për sulmin fizik në drejtim të gazetarit, Visar Duriqi.

Hoti ka thënë se sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi, është sulm ndaj fjalës së lirë dhe si i tillë është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Hoti ka ftuar organet e rendit për ndriçim sa më të shpejtë të këtij akti, ndërsa gazetarit Duriqi i ka uruar shërim dhe kthim sa më të shpejtë në kryerjen e detyrës së tij.

“Dhuna dhe tendenca për frikësim të gazetarëve është përpjekje për kufizim të lirisë së shprehjes dhe zhbërje të demokracisë, e cila nuk duhet të tolerohet sepse e drejta e fjalës së lirë është e garantuar me ligj”, ka thënë Hoti.

Tre persona mbrëmë e kanë sulmuar fizikisht gazetarin hulumtues të Insajderit dhe autorin e Indoks, Visar Duriqin.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i ka thënë Reporterit se në bazë të informacioneve të para, dyshohet se tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore.