Haki Abazi merr vetëm 654 vota në qytetin e tij

Ish/zëvendëskryeministri në Qeverinë “Kurti”, Haki Abazi ka dështuar që të marr vota edhe në Rajonin e Ferizajt prej nga raportohet se e ka prejardhjen. Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm në Ferizaj me gjithsej 31 mijë e 516 vota, Abazi arriti që në këtë qytet të marr vetëm 654 vota.

Këto rezultate dolën nga numërimi i votave në 39 vendvotime në këtë qytet, shkruan Gazeta Express.

Në ndërkohë këto të dhëna janë publikuar në formularët e KQZ-së.

Reporteri.net ka raportuar se Haki Abazi mund të mbetet jashtë Kuvendit. Ai nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për tu bërë deputet. Edhe pse Vetëvendosje u rrit gati dyfish, votat e Haki Abazit u tkurrën. Në këto zgjedhje ai ka garuar me numrin 19, kurse në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 ishte i radhitur i teti.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, me 81 për qind të votave të numëruara deri tani ka vetëm 5 mijë e 15 vota. Kurse në zgjedhjet e kaluara ai kishte marrë 15 mijë e 896.

Reporteri.net nga burime në Qendrën e Numërimit dhe Rinumërimit mëson se ai aktualisht është i 63 me radhë nga lista e Vetëvendosjes pa kriter gjinie.
Këtu nuk përfshihen vendvotimet që janë në rinumërim.

Kujtojmë se KQZ ka kthyer në rinumërim 494 vendvotime. Deri më tani janë rinumëruar 161 vendvotime dhe janë aprovuar 39 mijë vota nga diaspora, janë refuzuar 14 mijë të tjera.

Deri më tani janë rinumëruar rreth 33 për qind e vendvotimeve apo 161 nga 494 sa është numri i përgjithshëm i tyre.

Arsyet tashmë janë bërë të ditura, por rikujtojmë se kanë të bëjnë me: bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike (35 vendvotime); bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve (6 vendvotime); kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik (370 vendvotime); dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas (83 vendvotime).

Po ashtu, në këtë qendër, shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

Sipas të dhënave më të fundit janë hapur 31 mijë e 164 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 35 mijë e 834 zarfe me fletëvotime dhe 14 mijë e 200 zarfe të refuzuara.

Arsyet e mosaprovimit të votave nga diaspora janë si në vijim:

6 mijë e 309 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës.

4 mijë e 521 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore.

991 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë.

1 mijë e 808 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor).
571 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim.

Përndryshe në Qeverinë “Kurti”, Haki Abazi ishte numri dy i ekzekutivit.