Fermeri rrëfen si iu kërkua ryshfet nga zyrtarët e ministrisë për grantin e fituar

Njëzet zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë kanë përfunduar në pranga nga Policia e Kosovës, gjatë zhvillimit të aksionit “Subvencioni 2021”. Ata po dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë ndarjes së granteve për bujqësi, por edhe për marrje të ryshfetit.

Pas këtij aksioni policor, ka pasur reagime të shumta edhe tek fermerët dhe bujqit.

Edhe fermeri Bedri Duraku, në emisionin “Debat Plus”, ka rrëfyer për përvojën e tij me marrjen e granteve.

Ai tha se vazhdimisht edhe atij i është kërkuar që të jap ryshfet për përfitimin e subvencionit.

 “Unë si aplikues në vitin 2018 kam përfituar një grant në vlerë prej 95 mijë e 360 euro. Kam kontratë të nënshkruar. Në atë kohë e kam nënshkruar kontratë dhe kur nënshkruhet kontrata jepet drita jeshile  për me e finalizu projektin. Në kontratë i kemi pasur 120 ditë kohë për me e finalizu. Për shkak të kohës së keqe na kanë vazhdu edhe për 120 ditë të tjera pa na treguar në telefon. Edhe 15 ditë i kemi pasur për kompletimin e faturave. Unë i kam dorëzuar faturat e mbyllura kur e kam përfunduar projektin krejt me 25 maj 2019, që i bjen 253 ditë të plotë komplet. Lënda ime pas verifikimit që ka ardhur nga Komisioni për të bërë vlerësime, lënda ime ka shkuar tek pagesa me 10 qershor 2019. Kur ka shkuar tek financat, zyrtari i financave që ka qenë në ministri, thotë se je vonuar 34  ditë”, ka thënë ai.

Madje Duraku ka përmendur edhe emra të personave të përfshirë e që kanë mbajtur detyra zyrtare në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB).

“Veton Çoçaj, zyrtar financiar. Unë kam insistuar që të takohem me kryeshefin sepse në kohën kur e kam nënshkruar kontratën ka qenë ushtrues detyre Ekrem Gjokaj. Drejtor i autorizimit të pagesave ka qenë Agim Nuha. Kam insistuar që të kem takim me ta”, ka thënë më tutje ai.

E për ta, Duraku ka pasur edhe një plan përn personat që i kanë kërkuar atij ryshfet.

Para se me shku lëndë tek pagesat përmes njerëzve të tjerë, dhe jo direkt mu është e vërtetë që më kanë kërkuar ryshfet. Plani im ka qenë takimi me ta dhe me e shënu numrin serik të parave me i qitë në gracke ata njerëz dhe me i lajmëru tek Njësia për Krime Ekonomike në Policinë e Kosovës, se unë jam përfitues me 88.88 pikë. Unë nuk kam pranuar që të veprojë në atë formë. Paratë më janë kërkuar përmes njerëzve të tjerë”, ka thënë ai.

Për sa i përket skemës që funksionin për përfitimin e subvencioneve, Duraku tha se është shumë e fortë dhe se hetimet për të marrin vite që të përfundojnë.

“Kjo skemë funksionon kështu. Nëse një person e ka  dhe është në funksion që shumë vite dhe i ndërrohen pozitat herë në këtë pozitë herë në atë pozitë dhe nëpunësit e tyre i kryejnë punët për këto sene. Këtu është zinxhir aq i fortë që nuk mundet njeri i gjallë me shku. Duhen vite e vite dhe duhet që krejt grantet me u hetu. Unë jam ka punojë dhe nuk e kam shu veprimtarinë. Jam ambicioz në punë dhe jam duke punuar. Por nuk dua që ata njerëz të na përfaqësojnë neve dhe përfaqëson AZHB. Në  komunën e Rahovecit komplet prej vitit 2019, kanë qenë 9 mijë krerë lopë dhe viqa, e sot nuk ekzistojnë as 3 mijë. Ata po thirren që e zhvillojnë bujqësinë por janë duke e rrënuar bujqësinë”, ka thënë më tutje ai.