Njihuni me gjyqtaren më të re në futbollin kosovar – është nga Suhareka

Shumë gjyqtarë dhe gjyqtare të reja po i shtohen futbollit kosovar në vitet e fundit.

E gjyqtarja më e re është Rinesa Kryeziu, që vije nga Suhareka.

19-vjeçarja merret me gjykim të ndeshjeve që dy vite, por tani ka kaluar në kategorinë e tretë, ku ka të drejtë të referojë edhe në Ligën e Tretë të futbollit të meshkujve në Kosovë.

Por e veçanta e Rinesës është se ajo përveç që është tanimë gjyqtare, njëkohësisht është edhe futbolliste aktive.

Në një prononcim për Gazetën Olle, Rinesa ka treguar rreth karrierës së saj si në futboll ashtu edhe në gjykim.

“Jam futbolliste aktive që shtatë vite, ku fillimisht karrierën e kam nisur në klubin e qtytetit, 13 Qershorin, pastaj kam kaluar tek Liria e Prizrenit dhe tani së fundmi jam pjesë e A&N”.

Rinesa ka qenë një mbrojtëse anësore e spikatur, por këtë edicion ajo ka kaluar në pozitën e mesfushores defensive.

Futbollistja e talentuar tregon se me referim ka filluar të merret që dy vite, shkruan Gazeta Olle.

“Me referim merrem që dy vite, fillimisht e kam kaluar kategorinë fillestare që është ajo e katërta, ndërsa tani kam kaluar në kategorinë e tretë ku kam të drejtë të gjykojë në Ligën e Tretë’, vazhdoi Kryeziu.

Ajo është gjyqtare anësore, derisa përveç futbollit dhe gjykimit të ndeshjeve është duke kryer edhe dy fakultete, atë të gjuhës angleze ku është në vitin e dytë në privat dhe në vitin e parë në Edukimin fizik.

Kryeziu tregon edhe arsyen kryesore pse ka vendosur të merret me referim.

“Arsyeja kryesore që kam vendos me u marr me referim është pasi kanë ndodhur shumë padrejtësi gjatë ndeshjeve që kam zhvilluar, mirëpo vendosa që të njoftohem më shumë me rregullat dhe të bëhem shembull në ndarjen e drejtësisë, përveç asaj dua të bëhem edhe shembull i mirë për të tjerët, sidomos për vajzat e reja”, deklaroi Kryeziu për Gazetën Olle.

Ajo deri më tani ka ndarë drejtësinë në kategoritë më të vogla përfshirë edhe juniorët.

Gjithsesi ajo ka një qëllim, që një ditë të ndajë drejtësinë në Superligën e Kosovës në futboll dhe të marrë stemën e FIFA-s.

“Qëllimi im sigurisht është që të arijë të ndaj drejtësinë në Superligën e futbollit në shtetin tim. Natyrisht dua që një ditë të marrë edhe stemën e FIFA-s dhe të referojë edhe në arenën ndërkombëtare që ta përfaqësojë sa më mirë Kosovën”, ka deklaruar Rinesa për Gazetën Olle. /Gazeta Olle/