Akuzohet se ka uzurpuar një banesë në Suharekë nga viti 1999

Suharekë – Ramadan Zogaj është deklaruar i pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar ku akuzohet se ka uzurpuar një banesë në Suharekë nga viti 1999. 

Zogaj akuzohet se për më shumë se 20 vite në mënyrë të kundërligjshme e ka shfrytëzuar banesën e Hylki Hamzaj nga fshati Gjinoc i Suharekës.

Deklarimin se është i pafajshëm, Zogaj e ka bërë në seancën e shqyrtimit fillestar të çështjes, të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë.

Ramadan Zogaj akuzohet bazuar në nenin 320, pika 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi deri në dy vite burgim nëse i njëjti shpallet fajtor.

Gjyqtari i çështjes Qemail Suka ka obliguar të akuzuarin që në afatin prej 30 ditësh të dorëzojë kundërshtimet e tij ndaj akuzës dhe provave, ndërsa shqyrtimin e dytë e ka caktuar më 28 qershor 2021 në orën 10:00.

Të pranishëm në seancë kanë prezantuar prokurori Atnor Skoro, i akuzuari Ramadan Zogaj dhe mbrojtësi i tij avokati Flamur Bllacaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

REKLAMË

Aktakuza e Prokurorisë, e ngritur më 12 qershor të vitit 2020, e ngarkon Ramadan Zogajn se nga viti 1999 në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar banesën familjare e cila ndodhet në rrugën “Fidanishtja” në Suhareke pronë e të dëmtuarit Hylki Hamzaj nga fshati Gjinoc, Komuna e Suharekës.

Seanca e shqyrtimit fillestar të çështjes muaj më parë është mbajtur edhe nga gjyqtari Robert Tunaj, por pasiqë i njëjti lidhur me këtë çështje ka vendosur më parë në procedurë kontestimore, ka kërkuar lirimin e tij nga kjo lëndë.

Në këto rrethana gjykimi ka filluar nga e para, ku gjyqtar i kësaj çështje është caktuar Qemail Suka. /Burimi: BetimipërDrejtësi