Haradinaj: Askush nuk mund ta njollosë luftën tonë

Anëtari i AAK-së, njëherësh kandidat për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj ka folur rreth arrestimit të ish-kryetarit të OVL e UÇK-së Faik Fazliu dhe deklarimeve të ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla se “ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen gjatë ushtrimit të detyrës nga të ashtuquajturit “të fortët””.

Haradinaj tha se nga Qeveria Kurti nuk po shihen gjëra konkrete, përveç emërimeve, shkarkimeve dhe mos mbajtjen e premtimeve 15-vjeçare të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Po ashtu kjo Qeveri uli pensionet si dhe i heqi shtesat për doktorët. Premtimet e Albinit nuk korrespondojnë me premtimet 15-vjeçare të Vetëvendosjes”, tha ai.

Haradinaj ka reaguar ndaj arrestimit të ish-kryetarit të OVL të UÇK-së, Faik Fazliu pas një konfrontimi me zyrtarët policorë në Prizren, gjatë kontrollit në një lokal së bashku me inspektorët e AUV-it, lidhur me mosrespektimin e masave antiCOVID-19.

“Faik Fazliu është pa gjymtyrë, duhet pasur kujdes sepse ai njeri ka humbur gjymtyrë në luftë, duhet respektuar këtë kategori që ka dhënë gjithçka për këtë vend. UÇK-në nuk mund ta dëmtojë askush, e mbron sakrifica që kanë bërë të gjithë dhe s’mund ta njollosë askush luftën tonë”, tha Haradinaj.

Duke iu referuar deklarimeve të ministrit Sveçla se “ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen gjatë ushtrimit të detyrës nga të ashtuquajturit “të fortët””, Haradinaj tha se nuk është detyrë e ministrit të jep kësi lloj cilësimesh.

“Nuk i bën nder as ministrit një qëndrim i tillë. Në rast se ju i paragjykoni njerëzit, ju nuk jeni ministër i Kosovës, por vetëm i partisë suaj. Në video incizime u pa se Fazliu nuk kishte bërë ndonjë reagim. Institucioni më kredibil në Kosovë është Policia e Kosovës. Nuk duhet t’i jepim vetes të drejtë ta luajmë rolin e avokatit e prokurorit apo gjykatësit. Faikun e kam mik të mirë, ato pamje nuk janë të mira t’i shohësh. E kemi përgjegjësinë e dyfishtë t’i respektojmë institucionet. E kemi policinë më të mirë në rajon. Kemi përgjegjësi shtesë t’i raportojmë rastet kur individë të caktuar keqpërdorin uniformën. Qeveria e ka rolin e ndarë. Ministri duhet të ketë kujdes në deklarata”, tha Haradinaj në Kanal 10.