RRËFIMI PËR USHTARIN E “VDEKUR” NGA SUHAREKA DHE TË KTHYER MES TË GJALLËVE

(Pjesë e shkëputur nga një radiodokumentar kushtuar invalidëve të luftës së UÇK-së që jetojnë me plumba në trup)

Sabrije Haxhiu, Radio Kosova

Përvojat e njerëzve të rëndomtë gjithmonë e kanë shkruar kronikën më heroike të Kosovës. Zërat e atyre njerëzve të thjeshtë e të veçuar në periferitë e shoqërisë sonë, rrallëherë janë dëgjuar, por kur ata kanë shtruar argumentet e tyre madhështore ia kanë dhënë kuptimin më të saktë lirisë sonë – asaj lirie të cilën populli ynë e meritoi – asaj lirie të cilën e pagoi shumë shtrenjtë. 
   Njëri nga këta zëra të ndrydhur e të heshtur mes kujtimesh traumatike të luftës është dhe zëri i ish-ushtarit të Batalionit II të Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Agnon Lubovcit. Përvoja e Agnon Lubovcit në fakt është vet historia e Kosovës – sa tragjike po aq dhe heroike – është rrëfimi për vdekjen dhe ringjalljen e sërishme të një njeriu dhe të një populli.  
   Agnon Lubovci nga Suhareka i ishte bashkuar radhëve të vullnetarëve të UÇK-së në pranverën e vitit 1999. Për disa javë ai kishte kryer stërvitje ushtarake në kampin e Burrelit në Shqipëri dhe pa vonuar ishte nisur drejt frontit të luftës, duke u rreshtuar në Batalionin II të Brigadës 138, në Koshare.  
   “Në UÇK kom hi në vitin 1999, nga Maqedonia, e mandej në Shqipëri, në Burrel, me grupen e Burrelit. Nga aty kemi shku grupa e parë me Afrim Shalën, Bekim Elshanin, Luan Bytyëin, Xhevat Krasniqin etj. Në Koshare kemi hy pas thyerjes së kufirit, kemi qene grupa e parë dhe momentin që kemi mbërri një ditë kemi pushu në Padesh dhe pastaj kemi shku te Rrasat e Koshares, si ushtari Afrim Shalës e Fadil Hadërgjonajt”, nis qetësisht rrëfimin e tij Agnon Lubovci.
   Pas Betejës së Koshares, më 9 prill 1999 – e cila betejë shënon dhe thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, orvatjet e ushtrisë serbe për ta rimarrë Kosharen kishin qenë të pandërprera. Forcat serbe sulmonin pozicionet e UÇK-së përgjatë tërë vijës së kufirit, por pa sukses. Djemtë e UÇK-së nuk sprapseshin. Edhe pse pati një numër të madh ushtarësh të vrarë, vullneti i luftëtarëve të UÇK-së për të çarë përpara, ishte shumë i madh.
   “Me kujtohet kur mu vrajtën 12 shokë. Një shok ishte nga Malisheva. Na i tërheqshim kufomat, e ai luftonte. Dikur tha: hajdeni merrnum! Kur e kemi kap, të dy këmbët i kishte pas të këputne . Nuk e harroj kurrë atë ditë. Ai është ali Krasniqi nga Temeqina e Malishevës”, rrëfen më tej Agnon Lubovci.
   Më 8 qershor 1999, gjatë luftimeve me forcat armike, Agnon Lubovci plagoset rëndë duke marrë 22 plagë: 3 plumba e 19 copëza të granatës. Shokët e kishin tërhequr Agnonin e plagosur nga pozicioni i luftës. Mjekja dhe ushtarja e luftës, Time Kadriaj, ia kishte dhënë ndihmën e parë, më pas e kishin nisur për në Bajram Curri. Pasi luftëtari ishte plagosur shumë rëndë, menjëherë e ngarkojnë në helikopter dhe e nisin për në spitalin ushtarak të Tiranës. Sapo trupi i plagosur kishte zbarkuar nga helikopteri mjekët ushtarakë e konfirmojnë se ushtari me emrin Agnon Lubovci ishte pa shenja jete. Atëherë trupin e tij e dërgojnë në morg. 
   Katër ditë ka qëndruar në morg Agnon Lubovci, “i vdekur” mes të vdekurve. Por pas katër ditëve, sikur Krishti në të Premten e Pashkës, ai ishte “ringjallur”. Dikush nga ekipi i mjekëve e kishte vërejtur se “i vdekuri” në morg po lëvizte. Atëherë alarmohet spitali dhe “të vdekurin” e kthejnë sërish në sallën e interevimeve kirurgjike. Agnoni i hap sytë, ai nuk kishte vdekur, kishte ruajtur diku thellë brenda vetës një grimë fryme prej të gjallëve.    
   “Jam plagos me 8 qershor 99, në 22 vende në trup prej plumbave dhe granatës. Ne atë moment që jam plagos ka ardhë e ma ka tërheqjen Osman Berisha i Suharekës, edhe ai ushtar vetëm 17 vjeç. Deri sa më kanë hyp në një pizgauer, Time Kadriaj ma ka dhanë një injeksion. Në ato çaste kom pas vetëdije. E mbaj mend edhe kur gjatë rrugës u rrokullis pizkauveri. Por kur më kanë çue në Bajram Curr jom kanë pa vetëdije. Aty me kishin  pas kontrollu mjektë, Afrimi i Gjakovës, Shpend Kuqi i Suharekës … pastaj me helikopter të Kryqit të Kuq me kanë qu në Tiranë. Në Tiranë më ka ardhë vetëdija pas 4 ditësh në spitalin ushtarak, në morg, në kapellë, i mbulum me llastik të zi.Vetëm dy sekonda para se me ma shkrue historinë teme unë i kom çel sytë. Kur motrat m’i kanë pa sytë çel ashtë ba alarm në spital, më kanë nxjerr prej morgut. Sipas mjekëve nuk o rasti i parë se ndodhin edhe në botë, e kur ma ka ardhë vetëdija jam kanë 27 kilogram, e për katër ditë jam çu në kambë të mia”, vazhdon rrëfimin e tij Agonon Lubovci. 

   Rrustem Berisha, atëherë komandant i Brigadës 138, thotë se pasi Spitali Ushtarak në Tiranë e kishte konfirmuar vdekjen e Agnonit, adminsitrata e brigadës e regjistron emrin e tij në Listën e dëshmorëve të rënë. Kumti për rënien e Agonin kishte mbërritur menjherë edhe në familjen Lubovci, e cila menjëherë kishte hapur Derë për ngushëllime.
   Por, titullin Dëshmor Agnoni Lubovci pati fatin ta mbaj vetëm për një muaj. Mrekullia do të ndodhë në fillim korrikun e vitit 1999, pak ditë pas çlirimit, në Junik, aty ku shokët ishin bashkuar ta kujtonin lavdinë e luftës. Shokët kishin mbetur gojëhapur kur e kishin parë Agnonin të gjallë. Edhe takimi me familjarët për Agonin kishte qenë përjetim i papërshkrueshëm. 
   “Mas 28 dite e kam taku familjen tem. Komplet familja me ka shpëtuar, e ato senet tjera i kom harru. Në atë kohë e kam pas motrën e vogël – Qëndresën, tri vjeçe. Kur e kom pa motrën jam kanë njeriu ma i lumtur në botë. Tash i kam edhe vajzat e mia, Adean, Leartën dhe Donikën jam i lumtur e nuk i paramendoj ato gjëra çka kanë ndodhë ma“, rrëfen Agnon Lubovci. 
   Kanë kaluar më shumë se 21 vite, dhe për Agnonin, edhe po të donte t’i harronte gjithë përjetimet, janë 22 plagët e marra në mbrojtje të atdheut ato që ia kujtojnë të shkuarën. Të bashkëjetosh me plagë në trup me një shkallë invaliditeti prej 90 për qind, është shumë e vështirë, kur dihet edhe neglizhenca e shtetit sa i përket trajtimeve mjekësore për këto kategori.
   “Ne trup i kam 22 plagë, tre plumba e 19 copa të granatës. Plumbat i kom pas në këmbë, në këmbën e djathtë dhe në dorë, në këmbë i kom hjekë më 2008, e në dorë para 3 viteve. I kom ba 12 operacione. Problemin më të madh e kam me copën e granatës në tru të vogël, në anën e majtë. Jam kanë në Gjermani, Austri, Zvicër. Mjekët  thonë se nuk guxojnë me u prekë atë copë granate. Me ndryshimin e moti e ndiej kur lëvizë dhe më dhemb koka. Jam mësuar të jetojë me të”, vazhdon më tej Agnon Lubovci.
   Agnoni është i martuar, ka tri vajza, nënën, dy motra dhe vëllanë. Jeton në Suharekë, ka një biznes familjar dhe gjendjen ekonomike të mirë. Falë familjarëve të tij thotë se çdo operacion e trajtim mjekësor e ka paguar pa ia pasur nevojën shtetit. 
   “Prej 1999 unë jam shëru me të ardhurat  e familjes tem. Punoj vet, kam familjarë, s’ja kam nevojën e nuk shpresoj prej shtetit, se shteti ka njëherë probleme tjera. Shkallën e kam 90 për qind. Çdo tre muaj ose 6 muaj bëj kontrolle nëpër Evropë, po për mjekim i kom pague mjekët privat e operacionin e fundit ma ka ba ni shok i luftës, Shpëtim Dylazeka. Për dy javë m’i ka shëru plagët, e tash gishtat i lëvizi pas 20 viteve”, tregon Agnon Lubovci. 
   Trupi i është shpuar me plumba por jo dhe dinjiteti e krenaria që ndien për luftën dhe për kontributin e dhënë në shërbim të Atdheut.
   “Nuk harrohet momenti  kur jam plagos, por kam shumë shokë dëshmorë. Kur mendoj se ata janë dëshmorë e ne jetojmë, disi jetojmë … dëshmorët janë të shenjtë …nuk bëhna kurrë pishman që kam luftu, se sot e bëjmë jetën e lirë, flasim shqip, fëmijët tanë mësojnë shqip , ne  qarkullojmë të lirë”, tregon më tej Agnon Lubovci.
   Sot kur lufta e UÇK-së dhe vuajtja biblike e popullit të Kosovës është vënë padrejtëisht në bankën e akuzës, vujatjeve dhe sakrfrificave si këto të Agnon Lubovcit, shoqëria kosovare duhet t’u jap zë.