Opinion nga Arben Hoti: “Multikulturalizmi dhe ndërkulturalizmi në Ballkan”


Opinion nga:  Arben Hoti, MA i Gjuhës Angleze

Prej kur njerëzimi ka filluar të regjistrojë ngjarjet dhe ndodhitë më të rëndësishme në botë, ka egzistuar edhe bashkëpunimi i ndërsjellë, ka egzistuar edhe bashkëjetesa, edhe lidhjet e ndryshme nga interesi apo të natyrave tjera.

Kësisoj, në aspektin emocional, këto kontakte kanë ndikuar që ata, njerëzit, të njohin më mirë njëri tjetrin, të njohin specifikat e tyre kulturore duke dhënë e duke marrë prej njëri tjetrit gjërat me interes të ndërsjellë. Por, ky bashkëpunim dhe në disa raste edhe bashkëjetesë, deri vonë nuk është studiuar dhe nuk është regjistruar si një dukuri të cilës do duhej t’i kushtiohet ndonjë interes e veçantë. Te ne, studime të kësaj natyre janë bërë shumë vonë.

Libri i Dr. Xhevahire Krasniqit-Podvoricës, “Multikulturalizmi dhe ndërkulturalizmi në Ballkan” është një befasi e këndëshme dhe një risi në këtë drejtim ngase në të autorja sjell të dhëna të panjohura deri sot ndërsa nëpërmjet studimit të rasteve të veçanta, i ilustron mjaft mirë situatat të cilat, në bazë të përbërjes etnike, i kanë relaksuar marrëdhëniet në mes të popujve me përkatësi të ndryshme në mjediset shumëkulturore ose e kanë bërë të kundërtën e kësaj, shpërthimin e konflikteve të armatosura.

Ky libër, nëpërmjet një vështrimi panoramik dhe studimi konciz, na sjell njohuri të mjaftueshme për sfidat me të cilat popujt e vegjël të Ballkanit janë ballafaquar në të kaluarën dhe me të cilat edhe tani përballen ndërsa, duke theksuar momentet më të shpeshta ku ata janë takuar, shpjegon arsyet e konflikteve të cilat i kanë ndezur. Studimet e deritanishme për multikulturalizmin, multikulturalizmi në funksion të pengimit të konflikteve, raportet ndërkulturore dhe arsimi, diversitetet të cilat i karakterizojnë popujt dhe njerëzit në bazë të ngjyrës së lëkurës, racës, përkatësisë kombëtare, besimeve fetare, nivelit të zhvillimit ekonomik e social, orientimet a përcaktimet te ndryshme  dhe shumë kategorizime tjera të cilat i trajton në këtë libër, e bëjnë atë gjithëpërfshirës dhe me interes shkencor e shoqëror.

Pastaj autorja i radhitë edhe kategoritë tjera shoqërore të cilat ndikojnë në nivelin kulturor e social të një shoqërie, si paragjykimet, stereotipet, etnocentrizmi, racizmi, demonstrimi i fuqisë dhe një sërë pengesash tjera të cilat e frenojnë komunikimin ndërkulturor dhe zhvillimin e mirëfilltë të një shoqërie.

Duke shfletuar faqet e këtij libri, krijojmë përshtypjen se autorja ia ka dalë të sjell një studim të mirëfilltë shkencor i cili, në bazë të lëndës që trajton dhe literaturës që këshillon, do të ndihmojë shumë studimet tjera të kësaj fushe dhe natyre ndërsa për lexuesit tjerë, të etur për të mësuar më shumë për këto dukuri reale dhe globale, një libër cilësor, plot informacion dhe njohuri me interes të përgjithshëm shkencor e shoqëror.

Arben Hoti, MA i Gjuhës Angleze