Haradinaj: U vërtetua që Kurti është mashtrues, kjo qeveri nuk do të zgjasë shumë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se dyshimet që ai i ka pasur për Qeverinë Kurti 2, tashmë janë vërtetuar. 

Sipas tij, është dëshmuar që kryeministri i vendit, Albin Kurti, është mashtrues.

Ai thotë se premtimet për dialogun, reciprocitetin e shumë çështje tjera kanë dalë të jenë mashtrim, për çka sipas tij e bëjnë Kurtin mashtrues. 

“Populli i Kosovës do ta ketë të vështirë të qeveriset nga një qeveri e tillë. Kjo qeveri nuk do të zgjasë shumë”, tha ai.

Kreu i AAK-së thotë se me ardhjen e Kurtit në pushtet është shënuar një rritje e madhe e importeve nga Serbia, gjë e cila, thotë ai, se ishte kundërshtuar dikur nga kryeministri i tanishëm. 

“Kurti ka premtuar se do ta rivendosë reciprocitetin, por e vërteta është se u rrit importi i mallrave nga Serbia”.

Haradinaj thotë se ekonomia e Serbisë asnjëherë më parë nuk ka pasur kryeministër më të mirë se Kurti në Kosovë.

“Kurti po i bllokon bizneset dhe komunat tona. Paraja është bllokuar në Kosovë dhe komunat nuk po zhvillohen. Sipërmarrësit kosovarë do të kenë pasoja të mëdha në fund të këtij viti, derisa mallrat e Serbisë kanë vërshuar tregun tonë. Qeveria Kurti është qeveri armike ndaj ekonomisë së vendit të vet”, tha Haradinaj në TV Dukagjini./Gazeta Sinjali/