“Kam me vdekë dhe nuk kam me harru”/ Familja kosovare përjeton tmerrin në Kroaci, plaçkiten nga hajnat rrugës për në Zvicër

Familja Mrasori nga Kosova ka përjetuar tmerrin gjatë rrugës për në Zvicër. Mbrëmjen e së enjtes ata kishin ndaluar për të pushuar në një parking dhe u tronditën kur në mesnatë dëgjuan zhurmat dhe të bërtiturat e tre personave të maskuar, të cilët kishin hapur me forcë dyert e veturës së tyre, raporton Gazeta Sinjali. 

Kryefamiljari ka rrëfyer për Gazetën Sinjali tmerrin e përjetuar mesnatën e së premtes. 

Ai me bashkëshorten e tij, dy vajzat (13 dhe 5 vjeç) dhe djalin (12-vjeçar) ishin nisur nga Kosova, ku kanë kaluar pushimet, për në Zvicër. 

Mbrëmjen e së enjtes kanë ndaluar në një parking, 120 km nga hyrja në Kroaci, për të pushuar dhe pak pas mesnate, rreth orës 00:30, janë terrorizuar nga tre persona të maskuar dhe të veshur me të zeza. 

Sipas tij, hajnat kanë shpërthyer gomat e veturës së tyre dhe pastaj kanë hapur me forcë dyert e veturës. 

Pesë anëtarët e familjes Mrasori janë zgjuar nga të bërtiturat e hajnave, të cilët ua kanë kërkuar atyre paratë dhe stolitë e arit. 

Pavarësisht rezistimit të tyre dhe vajit të fëmijëve, hajnat kanë arritur që t’u marrin atyre paratë dhe stolitë e arit, vlera e të cilave, sipas kryefamiljarit, është rreth 20 mijë euro. 

Ai ka bërë të ditur se gjatë përballjes me ta, është lënduar gruaja e tij, të cilët dy nga të dyshuarit, ia kanë vendosur bërrylin në fyt. 

Pasi që kanë kryer plaçkitjen, ata kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Një shqiptar i cili ka rastisur në parking, ka provuar që t’u dalë në ndihmë dhe t’i ndalojë hajnat, por nuk ia ka arritur. 

Mrasori tha për Sinjalin se në vendin e ngjarjes kanë dalë policia, të cilët ua kanë ndërruar gomat dhe i kanë dërguar ata në stacion policor për të dhënë deklaratë. 

Mirëpo, mërgimtari bën të ditur se policia kroate nuk u ka dhënë ndonjë shpresë që rasti i tyre do të zbardhet dhe se hajnat do të kapen. 

Gjatë bisedës, ai thotë se zyrtarët policorë e kanë njoftuar se kjo nuk është hera e parë që ndodhin raste të tilla të vjedhjeve dhe se zakonisht, target i hajnave janë familjet me fëmijë. 

Familja Mrasori tani janë kthyer të traumatizuar në Zvicër, pa ndonjë shpresë që paratë dhe gjësendet e tyre do t’u kthehen ndonjëherë.

Kryefamiljari u bën thirrje të gjithë mërgimtarëve që kalojnë nëpër Kroaci që të kujdesen dhe të mos bien pre e hajnave. 

“Kam me vdekë dhe nuk kam me harru. Le të ruhen mërgimtarët se tmerr ishte për besë. Qysh na ka ndodhë neve, mundet edhe dikujt me i ndodhë”, tha ai për Sinjalin./Gazeta Sinjali/