Zhvillime në PDK, Sami Lushtaku merr këtë vendim të papritur

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Skenderaj, Sami Lushtaku, nuk do të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të komunës.

Erfan Smajli nga dega e PDK-së në Skenderaj ka thënë se qëndrimi është që në vend të Lushtakut do të jetë ish-deputeti i PDK-së nga Skenderai, Fadil Nura.

“Po e sigurtë është që kandidati është Fadil Nura. Në katër ora e kemi për me dërgu aplikacionin. Është marre vendimi nga KQZ që nuk i lejohet Sami Lushtaku kandidatura”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj vetë Sami Lushtakun, por ai nuk është përgjigjur në telefon.

Ndërsa, Mërgim Lushtaku, në një bisedë për KALLXO.com tha se nuk mund të flas për këtë porse do të ketë një njoftim zyrtarë së shpejti.

KALLXO.com raportoi dje se një dënim iu konfirmua nga Gjykata Supreme Sami Lushtakut.

Gjykata Supreme e Kosovës i ka vërtetuar dënimin për arratisjen nga “Burgu i Dubravës” ish kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.

Lushtaku ishte gjetur fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës, gjatë kohës kur po mbante dënimin prej 12 viteve për krime lufte në rastin “Drenica”.

Ai me vendimin e Gjykatës së Prishtinës në prillin e vitit 2020 ishte dënuar me 12 mijë euro gjobë.