Si ndikon uji i ftohtë në tretjen dhe shëndetin e zorrëve

Vera është koha kur rekomandohet të pini më shumë ujë, por shumë njerëz përdorin ujë të ftohtë apo edhe akull për t’u freskuar. Mirëpo, a ka dobi organizmi nga konsumimi i ujit të ftohtë?

Ekspertët thonë se uji i ftohtë gjithashtu mund të ndikojë negativisht në sistemin tretës duke e ngadalësuar atë. Temperatura e brendshme e trupit është rreth 36 gradë dhe prandaj për funksionimin dhe tretjen normale të trupit duhet të pini ujë me temperaturë të ngjashme.

Sahara Rose, një eksperte në fushën e mjekësisë tradicionale, deklaron se trupi ynë shpenzon shumë më tepër energji kur pimë ujë të ftohtë, duke na lënë më pak energji për shërimin dhe funksionet mendore.

“Kur marrim ujë të ftohtë në organizëm, ka një ngushtim të enëve të gjakut, ndërsa duke pirë ujë të vakët enët e gjakut zgjerohen”, ka shtuar ajo.

Shumë ekspertë, përfshirë Rose, rekomandojnë të konsumoni vetëm ujë vakët apo edhe ujë të ngrohtë, në mënyrë që tretja të jetë në gjendje optimale.

Sidoqoftë, ka pak kërkime mbi përfitimet e konsumimit të ujit të nxehtë, edhe pse kjo është e mbrojtur në shumë kultura. E vetmja gjë që është vërtetuar shkencërisht është se marrja e ujit të ftohtë ngushton enët e gjakut, të cilat mund të shkaktojnë thithje më të dobët, ndërsa kur konsumoni ujë të ngrohtë, enët tuaja të gjakut zgjerohen.

Pavarësisht nga mungesa e studimeve, Rose mbron shmangien e ujit të akullt.

“Pas gjithë trajnimit mjekësor, kuptova që ne nuk dimë shumë, veçanërisht kur bëhet fjalë për shëndetin e zorrëve dhe sistemin imunitar. Këto janë fusha që ne nuk i kuptojmë mirë në sistemin tonë tradicional mjekësor”, ka theksuar ajo.

Nëse jeni të etur, nuk do të thotë se duhet të prisni që uji të arrijë temperaturën e përsosur. Mbajtja e hidratimit duhet të jetë përparësia juaj, veçanërisht gjatë stinëve të nxehta dhe ushtrimeve