Këto janë premtimet e Ardian Shalës, kandidatit të LDK-së për kryetar të komunës

Kandidati i LDK-së për garën e udhëheqjes së Komunës së Suharekës, Ardian Shala, ka thënë se ka plan të detajuar për mandatin e tij katërvjeçar.

Gjatë emisionit Edicioni Special në Klan Kosova ai deklaroi se në plan të parë e ka barazinë para ligjit dhe llogaridhënien, dhe se programin e ka të ndarë në 7 shtylla: Shëndetësia, planifikimi dhe zhvillimi ekonomik, Infrastruktura dhe shërbimet publike, arsimi, administrata, bujqësia, rinia kultura dhe sporti.

“Nder prioritetet më kryesore e kemi bërë krijimin e 2 mini zonave ekonomike, projektin e turizmit malor “Zona  lindore e Suharekës”, Parku i Mërgimtarit – parku që na bashkon, ndërtimi i kompleksit sportiv  gjysmëolimpik që e kemi quajtur Suhareka Nesër, Hidrosistemi i Dragaçinës “Ujë për të gjithë”, ndërtimi i tre shkollave në komunë dhe 3 çerdheve të reja, përfundimi i shtëpisë së kulturës “Ukë Bytyqi”, ndërtimi i unazave lidhëse dhe i një unaze të madhe, ndërtimi i kabinetit të imazherisë diagnostike, mbrojtja e mjedisit dhe burimeve natyrore, shërbime këshillëdhënëse për buqit dhe përkrahje për ta, pra për të qenë sa më krah fermerëve”.

Të gjitha këto Shala tha se do t’i bëjnë më një program që e kanë hartuar ekspertë të fushave të ndryshme.

Ndërkaq sa i përket shëndetësisë, ai shtoi se do ta rrisë buxhetin për trajtimin e COVID-it për 200 mijë euro, dhe 200 mijë të tjera për barna, investim në laboratore për kryerjen e analizave më të reja, etj.

Te çështja e ekonomisë ai premtoi krijimin e dy mini-zonave në fshatin Duhël, të ndajë 10-40 ari për biznese të reja dhe biznese të mërgatës, për të cilat tha se kanë shprehur interesim, të gjitha këto sipas tij do të ndihmojnë në punësimin e të rinjve dhe njerëzve që janë të intersuar për të bërë biznes.

“Po ashtu te agro zona që e kemi në Samadraxhë, ta ridestinojmë gjysmën e zonës sepse aty është më shumë për produkte bujqësore, do ta kthejmë edhe atë në një zonë e cila do të jetë e përshtatshme për të zhvilluar biznes”.

“Zero taksa për biznese, d.m.th taksat komunale do të hiqen të gjitha. Në turizmin malor do të ngjisim shumë biznese familjare dhe ekonomitë familjare që me produktet bio të tyre të ndikojmë që të vetëpunësohen për t’i stimuluar sa i përket ideve inovative me subvencione të ndryshme për vetëpunësim”, deklaroi Shala i LDK-së.

Përveç kësaj, ai shpalosi planin e tij edhe për bujqit, duke thënë se ka menduar që të jetë buxheti më i madh i ndarë deri tani për këtë sektor.

“Rreth 4-5 milionë euro buxhet për katër vite mandat. Do t’i subvencionojmë më shumë blegtorët. Kemi menduar ndarjen e një fondi prej 10-20 përqind të buxhetit vjetor për sigurime, do të fillojmë ta zbatojmë këtë për herë të parë sepse ka vazhdimisht vërshime dhe dëme nga breshëri. Kemi paraparë edhe mbrojtjen nga breshëri”, përfundoi Shala.