Lajmi i Fundit

Vetura e ekipit të REL-it sulmohet nga rreth 50 persona në veri

Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është pamundësuar puna sot, nga një numër protestuesish në Rudarë të Zveçanit.

Me të hyrë në Rudarë, vetura me të cilën po udhëtonte ekipi i REL-it, është ndaluar dhe është rrethuar nga rreth 50 persona, të cilët kanë kërkuar që të mos xhirohen. Në tentim për ta marrë kamerën, e kanë dëmtuar atë dhe makinën taxi, me të cilën ishte duke udhëtuar ekipi.

Ekipi i REL-it po udhëtonte në magjistralen Prishtinë-Rashkë, për të raportuar për barrikadat e vendosura në Rudarë të Zveçanit.

Serbët lokalë kanë vendosur aty kamionë, për të kundërshtuar një aksion të organizuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Më herët gjatë ditës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehu shqetësimin lidhur me sulmet që u janë bërë gazetarëve në veri të Kosovës, të cilët po raportonin për aksionin policor.

Bllokada dhe protesta për aksionin policor më 13 tetor ka pasur edhe në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.