Kryeministri Kurti takohet me miliarderin Soros, prezentohet projekti i tij i ri në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti, ka takuar sot, zëvendëskryetarin e Fondacionit për Shoqëri të Hapur, Alexander Soros dhe përfaqësusit e tjerë të këtij fondacioni.

Në një komunikatë nga Qeveria, thuhet se në këtë takim, Kurti foli për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe procesin e mirë të vaksinimit të popullatës, për të cilin Kosova tashmë po prinë në rajon, si edhe për rritjen ekonomike që Banka Qendrore e Kosovës e parasheh të arrijë 9,9%.

“Në këtë drejtim u theksua kontributi i mërgatës në rritjen ekonomike dhe rëndësia e përfshirjes së saj në zhvillimin e mëtejshëm të vendit nëpërmjet Fondit të Ekselencës.

U bisedua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe synimin e përbashkët të rajonit për integrim në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë.

Në takim u prezantua projekti më i ri i Fondacionit për Shoqëri të Hapur në Kosovë, një bashkëpunim ky me kolegjin „Riinvest“, që ka për qëllim promovimin e agjendës së gjelbër nëpërmjet një qendreje e cila ofron edukim për administratë, për sektorin privat dhe shoqërinë civile, si edhe ligjërata dhe bashkëbisedime mbi temat më të rëndësishme për avokimin e politikave të gjelbërta.

“Theks të veçantë pati nxitja e qeverisjes edhe më të mirë dhe kryeministri Kurti potencoi rëndësinë e e-qeverisjes dhe të dhënave të hapura. Përfaqësuesit e OSF-së u shprehën shumë optimistë me programet që do t‘i implementojnë, nëpërmjet të cilave Qeveria e Kosovës do ta ketë potencialin që në dy vitet e ardhshme të jetë qeveria më transparente dhe më e hapur në rajon”, thuhet në fund të komunikatës.