Postës së Kosovës i janë plaçkitur 40 mijë euro.
Për këtë skandal ka njoftuar Shoqata Sindikale “Posta e Kosovës”, përmes një shkrese drejtuar Kryeshefes dhe anëtarëve të kësaj ndërmarrje.
“Me anë të kësaj shkrese shprehim pakënaqësinë tonë lidhur me mosveprimet ose veprimet tuaja dhe të një pjese të menaxhmentit në dëme të kompanisë që ju menaxhoni”, kështu nis letra e Shoqatës Sindikale “Posta e Kosovës”.
“Përveç shumë vërejtjeve dhe pakënaqësive që kemi dhe kemi shprehur edhe më herët në këtë shkresë po i referohemi rastit të plaçkitjes së afër 40 mijë eurove të dedikuara për asistencë sociale”, vazhdon tutje letra e Shoqatës.
“Jemi shumë të indinjuar me indiferencën tuaj dhe me mosveprimin tuaj në rastin e humbjes së 40 mijë eurove të cilat janë fituar me djersën tonë. Nuk kemi ndërmarrë asnjë veprim për të konstatuar përgjegjësinë e secilit që ka dështuar në kryerjen e detyrave. Kjo është e kuptueshme sepse përgjegjësi kryesor për këtë jeni ju”, thuhet tutje në letër.
Tutje tregohet në detaje se si ka ndodhur rasti.
“Jeni në dijeni se Kryeshefi ekzekutiv menaxhon të gjithë punët ditore në çështje operative dhe ka përgjegjësi për funksionimin normal te proceset e punës, të siguron që janë vendosur kontrollet efikase të zbulimit, kontrollet e brendshme dhe sistemin e menaxhimit të informatave, siguron që ndërmarrja mban standarde të larta të etikës dhe përgjegjësive shoqërore në pajtim me këtë kod. Në të gjitha rastet e lartpërmendura ju keni dështuar”.
Kjo shoqatë ka kërkuar dorëheqjen e ushtrueses së detyrës së kryeshefes së Postës së Kosovës, Fakete Kadiu.
“Në mënyrë që të mos vazhdojë edhe më tutje degradimi i ndërmarrjes Posta e Kosovës, kërkojmë nga ju UD KE znj. Fakete Kadriu, Petrit Karakashi dhe Saranda Ademi që të jepni dorëheqje deri më 10.11.2021”, thuhet në letrën e siguruar nga Gazeta Insajderi.
Posta e Kosovës ende nuk ka bërë një reagim rreth letrës që kanë pranuar.