Vazhdon ‘kushërinologjia’: Salih Zybës i punësohet gruaja në punë të shtetit, paga deri 1 mijë euro

Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë, ka qenë kritike e madhe e punësimeve familjare dhe vazhdimisht ka premtuar se në rast se udhëheqin vendin, nuk do të ketë nepozitëm.


Në fakt ky ishte edhe një prej premtimeve që e solli në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje, por me sa duket, bashkëpuntorët e Albin Kurtit nuk po ia dalin të mbajnë fjalën, raporton Demokracia.com.

Demokracia.com ka mësuar se pak muaj më parë, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zybës, i është punësuar bashkëshortja në Byronë Kosovare të Sigurimeve, e cila udhëhiqet nga Sami Mazreku. 

Sofije Zyba, bashkëshortja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka disa muaj që është punësuar në Departamentin e Dëmeve në Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe ajo, sipas burimeve brenda këtij institucioneve, paguhet nga taksat e qytetarëve të Kosovës me mbi 1 mijë euro pagë mujore.

Demokracia.com është interesuar për këtë çështje edhe në Byronë Kosovare të Sigurimeve, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e redaksisë rreth punësimit të bashkëshortes së deputetit Salih Zyba.

Për më tepër, Demokracia.com ka kontaktuar nëpërmjet telefonit edhe me drejtorin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazrekun. Ai duke mos e mohuar punësimin e Sofije Zybës, nuk ka dashur të përgjigjet përmes telefonit dhe ka kërkuar që pyetjet t’u përcillen në adresën elektronike, për të cilat ka disa ditë që nuk është kthyer ndonjë përgjigje.

Edhe më të rëndë situatën e bën fakti që në Byronë Kosovare të Sigurimeve tani ka punëtorë që pas dhjetë vitesh punë janë larguar dhe nuk u janë vazhduar kontratat.

Në deklarimin e pasurisë së tij për vitin 2019, 2020 dhe 2021, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, nuk e ka të deklaruar që bashkëshortja e tij ka qenë diku e punësuar. 

Ndërsa, në vitin 2018, në deklarimin e pasurisë së deputetit Zyba figuron që bashkëshortja e tij ka punuar në sektorin privat, përkatësisht në një kompani në Prishtinë.