Analistja televizive i bashkohet LDK-së, e prezanton Abdixhiku

Jehona Lushaku – Sadriu, analistja televizive, i është bashkuar sot Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkruan IndeksOnline.

Atë para opinionit publik e ka prezantuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku i uroj mirëseardhje në LDK, analistes Sadriu.

Postimi i plotë:

Profesoresha Jehona Lushaku Sadriu nga sot është pjesë e LDK-së. Ajo i bashkohet familjes sonë politike në rrugëtimin e përbashkët që na pret përpara.Jehona është ligjeruese në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Shkencës Politike. Ajo ka mbaruar studimet e doktoratës në Universitetin e Hanoverit në Gjermani me temë ‘Evropianizimi përmes kushtëzimit dhe deliberimit’ si dhe studimet postdiplomike në fushën e integrimeve evropiane në Qendrën Jean Monnet në Universitetin e Hanoverit po ashtu në Gjermani.Jehona ka një përvojë të pasur angazhuese në Kosovë dhe jashtë. Ajo për tre vite ka udhëhequr programin e BE-së për arsim të lartë “Erasmus+”; për katër vite ka qenë drejtoreshë për bashkëpunim ndërkombëtar në UP; si dhe për dy vite koordinatore nacionale e projektit KAIP. Jehona është autore e librave dhe artikujve në fushën e integrimit evropian. Si bursiste e Konrad Adenauer Stiftung, Jehona ka qenë pjesëmarrëse e konferencave dhe aktiviteteve të CDU-së dhe EPP-së në Gjermani e Bruksel. Ajo po ashtu ka punuar në Parlamentin e Landit të Saksonisë së Ultë.Jehonën kam pasur rastin ta takoj disa herë. Në këto takime e bashkëbisedime kam vërejtur një vullnet të jashtëzakonshëm për shërbim ndaj vendit, por mbi të gjitha një kompetencë të pashoq në trajtimin e temave nacionale politike. Ajo i ka të qarta bindjet ideologjike e orientimet politike, siç i ka të qarta dhe rrugëtimet e mëdha që e presin Kosovën përpara. Prandaj angazhimi i saj politik, para se të jetë pasuri për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është dhe vlerë për shoqërinë kosovare e cila vazhdon të kërkojë politikanë kompetentë e të ndershëm; të gatshëm për t’i ofruar më të mirën e tyre vendit.LDK mbetet e hapur për profesionistë, intelektualë, e aktivistë publik që ndajnë bindje të njëjta e që kanë vullnet për shërbim ndaj vendit. Kjo shtëpi e demokracisë, si alternativë e vetme e dekadës së tashme, do t’i pasurojë radhët e veta me më të mirët e shoqërisë; në të gjitha nivelet pa dallim. Ekipi ynë i ardhshëm, me të tillë si profesoresha Lushaku – Sadriu, ka të ardhme të sigurt.Jehona është e martuar me Petritin; dhe është nënë e dy fëmijëve, Diellit dhe Adës.Jehona, mirë se vjen në LDK!