Si u zbulua laboratori i drogës në mulli në Suharekë?[VIDEO]


Javë më parë, Njësiti për Hetimin e Trafikimit për Narkotik në rajonin e Prizrenit kishte pranuar një informacion se në një lokacion ka lëvizje të dyshimta dhe se brenda një objekti dyshohet se po kultivohen bimë narkotike.

Me të pranuar këtë informacion, Prokuroria e Prizrenit ia ka ndarë rastin prokurores Ariana Shajkovci, e cila nisi punën për të siguruar prova të mjaftueshme për personat që fillimisht pretendohej se po kultivonin dhe prodhonin drogë.

Në një objekt disakatësh, i cili ishte mulli, kati i shtatë ishte i mbushur me më shumë se 2 mijë bimë narkotike të llojit kanabis sativa.

Aksioni i Prokurorisë 6 ditë më parë rezultoi me disa persona të arrestuar nën dyshimin për kultivim të narkotikëve.

Prokurorja e rastit Ariana Shajkovci ka shpjeguar për KALLXO.com se informacionet e para ishin se po kryhej veprimtari e kundërligjshme në të njëjtin objekt.

“Kur e kemi pranuar rastin kam filluar me ndërmarrje hetimore, hetimet kanë filluar para disa javësh dhe tani pas identifikimit të lokacionit të mundshëm për kultivimin e bimës narkotike kanabis sativa kemi siguru urdhrin nga gjykata për bastisje në atë lokacion”, ka thënë prokurorja e rastit.

Fillimisht prokuroria kishte filluar një procedurë hetimore ndaj disa personave të cilët më pas gjatë aksionit edhe janë arrestuar.

Masa të ndryshme për hetimin e këtij rasti ishin vënë në dispozicion për të siguruar provat për grupin e dyshuar për kultivim të narkotikëve.

Prokurorja Ariana Shajkovci tha se në këtë rast është punuar me kapacitete të plota të Ppolicisë dhe Prokurorisë.

Tutje siç shpjegon prokurorja Shajkovci, për zhvillimin e aksionit ishte kërkuar edhe numër i shtuar i policëve.

Ajo shpjegon arsyen se pse kërkoi një gjë të tillë.

“E kemi parë të nevojshme që të angazhohet policia me çdo kapacitet të mundshëm për shkak të rrezikut që mund të na kanoset apo të ketë rezistencë nga ana e ndonjë personi”, tregon tutje prokurorja.

Numër i madh i policëve ishte përgatitur që të kryente ndërhyrjen në një objekt disakatësh në fshatin Shirokë të Suharekës.

Nga masat e hetimit Policia kishte marrë edhe urdhrin që të kryenin aksionin ndërsa gjashtë persona ishin zënë në flagrancë duke punuar në laboratorin e drogës që u gjet.

Të njëjtit janë arrestuar dhe me urdhër të Prokurorisë janë dërguar në mbajtje për 48 orë fillimisht.

Nga ekzaminimet që ishin bërë në vendin e ngjarjes dhe mbledhjen e provave rezultoi se ishin të mbjella më shumë se 2 mijë fije të narkotikut të llojit kanabis sativa.

Një pjesë e drogës ishte duke u përgatitur për t’u vënë në treg.

Siç ka shpjeguar prokurorja Shajkovci, vlera e drogës kalon shifrën një milion euro në tregun kosovar.

Prokurorja shpjegoi edhe se hetimet në lidhje me rastin do të vazhdojnë edhe më tutje për të parë nëse në rast ka të përfshirë edhe persona të tjerë si dhe prova të tjera që inkriminon grupin e arrestuar./Kallxo.com