E jashtëzakonshme, ukrainasit fabrikën e birrës e kthejnë në kokteje molotov

Në një pjesë industriale të qytetit kryesor të Ukrainës perëndimore, Lviv, punonjësit në fabrikën e birrës Pravda i janë përgjigjur pushtimit rus duke kaluar nga prodhimi i birrës në kokteje molotov.


Lviv, një bastion i identitetit ukrainas, shtrihet pranë kufirit polak dhe ka frikë se tanket ruse në një moment do të futen në qytetin historik.

“Duhet të prisni që lecka të ngjyhet mirë. Kur të jetë, kjo do të thotë se kokteji molotov është gati,” tha një punonjës i buzëqeshur.

Dy barmenët e tjerë pranë tij, të gjithë me humor të mirë, bëjnë të njëjtën gjë.

Ata kanë dhjetëra kokteje molotov gati për përdorim tashmë, të vendosura mjeshtërisht në tavolina për t’i mbrojtur nga reshjet e lehta të borës.

Ndërsa këto kokteje molotov mund të duken qesharake përballë tankeve dhe raketave, ndryshimi nuk mund të ishte më serioz për Yuriy Zastavny, pronarin e fabrikës së birrës.

“Duhej të bënim dhe të përdornim kokteje molotov atëherë”, tha ai.

Ai tha se ideja erdhi nga një prej punonjësve të tij, shumë prej të cilëve morën pjesë në revolucionin e vitit 2014.

Nuk është hera e parë që Pravda bëhet një lloj institucioni në Lviv. Një nga birrat e tyre të preferuara quhet “Putin khuylo” – një fyerje drejtuar presidentit rus Vladimir Putin.

Fabrika e birrës filloi të prodhojë kokteje për Forcat e Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës të shtunën — të përbërë nga rezervistë që iu përgjigjën thirrjes së presidentit Volodymyr Zelensky për të marrë armët.

Në postblloqet e ngritura në periferi të qytetit me 720 mijë banorë, policët dhe ushtarët që kontrollojnë çdo automjet janë tashmë të pajisur me to.

Pronari i Pravda Zastavny u zotua të bëjë “çdo gjë që mundemi për të ndihmuar në fitimin e kësaj lufte”, transmeton AFP.