Çfarë po ndodh me kolonën ruse të nisur për Kiev? Raportohet se ushtarët po plaçkitin supermarkete

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, John Kirby, tha se qindra automjete të blinduara ruse që shkojnë për në Kiev po “mbeten të bllokuara” gjatë rrugës.

“Nga vlerësimet tona ata nuk kanë bërë ndonjë përparim të dukshëm në 24 deri në 36 orët e fundit,” tha Kirby në një konferencë të Pentagonit të mërkurën.

“Ne besojmë se rusët po rigrupohen dhe po rivlerësojnë përparimin që nuk kanë bërë,” u tha ai gazetarëve.

Ai shtoi se “sfidat e logjistikës dhe qëndrueshmërisë” dhe “rezistenca nga ukrainasit” janë gjithashtu faktorë.

BBC raporton se nga raportimet e paverifikuara bëhet e ditur se ushtarëve po u mbarojnë karburantet dhe ushqimet. Zyrtarët në rajonet që kanë rënë në duart e Rusisë kanë pohuar se ushtarët po plaçkitin supermarketet për furnizime dhe se ushqimet e ofruara nga ushtria u kanë skaduar.