Buxheti i Ushtrisë së Kosovës ndër vite – nga 19 milionë deri në 100 milionë euro

E formuar në vitin 2009, pas shpërbërjes së Trupave Mbrojtës të Kosovës, me mbi 6 ushtarë aktiv dhe 3,500 rezervistë, Forcat e Sigurisë së Kosovës në vitin e parë kishte pasur buxhet me rreth 19 milionë euro.

Katërmbëdhjetë vite pas themelimit kjo forcë tashmë ka rreth 100 milionë euro buxhet, shkruan Telegrafi.

Më 15 shtator 2009, FSK-ja filloi zyrtarisht punën, me kapacitetet e saj fillestare operacionale pas një trajnimi tetë-mujor me instruktorë të Aleancës Veriatlantike (NATO).

Në vitin 2009, buxheti i FSK-së ishte 18 milionë e 819 mijë e 805 euro. Vetëm një vit pas, buxheti ishte rritur në 41 milionë e 217 mijë e 414 euro.

Gjatë 2011-së ky buxhet kishte rënie për më pak se 5 milionë euro, pra ishte 36 milionë e 427 mijë e 707 euro. Për tre vite më radhë, ky buxhet nuk kishte arritur të kalonte vlerën prej 40 milionë euro. Në vitin 2012, buxheti ishte 38,128,678 euro, në vitin 2013 në 34,500,743 euro, kurse gjatë 2014-së kishte qenë 38,507,738 euro.

Për katër vitet e ardhshme, buxheti i FSK-së ishte rritur për rreth 10 milionë euro më shumë. Nga 41 milionë e 358 mijë e 830 euro që ishte në vitin 2015 në 49 milionë e 729 mijë e 407 euro në vitin 2018. Në vitin 2016, buxheti ishte 45,114,912 euro, kurse në 2017 ka arritur në 47 milionë euro 638 mijë e 627 euro.

Shndërrimi në Forca të Armatosura

Më 18 tetor 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi të shndërrojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, pasi 98 nga 120 deputetët votuan pro transformimit.

Në vitin e parë të shndërrimit, Forcës së Armatosur u ishte ndarë një buxhet prej 54 milionë e 574 mijë e 838 euro, shkruan Telegrafi.

Një vit më vonë ky buxhet ishte rritur për rreth 10 milionë euro, duke arritur në 63 milionë e 665 mijë e 095 euro. Kure, në vitin 2021 buxheti ishte 61,124,266 euro.

Në buxhetin e vitit 2022, Forcat e Armatosura të Kosovës do të kenë 97 milionë e 217 mijë e 42 euro buxhet.Lexo po ashtu:Hapet llogaria zyrtare bankare për Fondin e Sigurisë

Formimi i Fondit të Sigurisë

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se është themeluar Fondin e Sigurisë, duke ftuar qytetarët e Kosovës, mërgatën dhe edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë e vendit.

Kurti, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se “në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar Ministrinë e Financave për themelimin e ‘Fondit të Sigurisë’”.

“Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës. Funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria”, ka shkruar Kurti.

Po ashtu, ai ka thënë se “në përputhje me legjislacionin në fuqi do të zbatohen procedurat për prejardhjen e mjeteve financiare me qëllim të ruajtjes së integritetit të fondit dhe qëllimit të tij”.

“Ftohen qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët tanë në diasporë por edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/