Rusia bombardon qytetin Irpin, pamje të tmerrshme

Imazhe të reja janë publikuar nga Irpin, një qytet 20 kilometra në veri-perëndim të Kievit, i cili është dëmtuar rëndë nga sulmet e artilerisë dhe sulmet ajrore ruse.

Fotot tregojnë skena kaotike të njerëzve që arratisen ndërsa shpërthimet atje vazhdojnë.

Irpin është bërë epiqendra e luftimeve mes forcave ruse dhe ukrainase ditët e fundit, raporton BBC.

Ndërtesat e banimit dhe rrugët janë dëmtuar rëndë nga sulmet. Forcat ukrainase kanë hedhur në erë edhe ura për të frenuar përparimin rus.

Trenat janë rruga kryesore e arratisjes, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, por qyteti është nën bombardime të vazhdueshme. Zyrtarët ukrainas thanë të shtunën se trupat ruse kishin hedhur në erë një pjesë të linjës hekurudhore përgjatë rrugës së evakuimit nga Irpin.