Të dhëna interesante për fshatin Studençan

Shtrihet rreth 6 km në perëndim të Therandës. Është vendbanim i tipit të grumbulluar në formë të zgjatur në një luginë. Është vendbanim mjaft i madh në të cilin burojnë disa gurra mjaft të forta.

Sipërfaqja: 1097 ha, 54 ari, 15 m

Në këtë vendbanim sot jetojnë kryesisht këto familje: Krasniqi, Gashi, Bytyçi, Gega, Kabashi, Berisha, Sopi, Zyrapi, Jasharaj etj.

Mikrotoponimet më karakteristike: Tijavica, Grapi, Planabër-da, Buçalla, Ridi, Livadhe, Beluha etj.

Është vendbanim i lashtë iliro-dardan. Në lokalitetin e këtij vendbanimi, në sipërfaqe janë zbuluar mbeturina të objekteve ndërtimore dhe material tjetër arkeologjik. Nga ky lokalitet është gjetur edhe një pllakë mermeri me një reliev ku paraqiten dy kalorës të periudhës antike. Në dalje të këtij vendbanimi, konkretisht Te Ura e Reshtanit, gjatë gjurmimeve arkeologjike janë gjetur vegla të yjetra pune të kohës ilire, mulli për bluarjen e drithit, një mulli kafeje etj. Në një shtëpi në këtë vendbanim gjendet një pitos i madh i periudhës romake. Në mes të fshatit, sot është një grumbull i dheut, thuhet se aty ka qenë një kishë katolike, janë disa rrasa guri që dëshmojnë se kanë qenë varreza. Katundi i moçëm ka qenë në vendin e quajtur Beluha, përmbi Gurrë të Reshtanit, mirëpo prona të Gurrës (Studençanit).

Në dokumentet e shkruara përmendet me emrin Studeniçani në kartën e perandorit Dushan të vitit 1348 dhe në një dokument gjyqësor arkivor në manastirin e Hilandarit të vitit 1454 ku në këtë të fundit përmendet një banor i Studençanit. Në defterin kadastral : të Sanxhakut të Shkodrës, nahija e Suhogërllës i varur nga Peja i vitit 1485 ishin të regjistruar 8 shtëpi dhe 2 beqarë, ndërsa në defterin kadastral të Sanxhakut të Prizrenit të vitit 1591 kishte 47 shtëpi e bashtina, 7 beqarë dhe 1 bazhdar. Famullitari i Prizrenit Gërgur Mazreku, në vitin 1620 e përmend këtë vendbanim, ku thekson se ende në Studençan një familje katolike me 7 anëtarë e mban fenë e etërve të tyre.

Me emrin Istodinçane është i regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318h).

Në këtë vendbanim në vitin 1934 u kolonizuan 17 familje kolone sllave me 83 anëtarë.

Nga ky vendbanim disa familje janë shpërngulur në Turqi (familja Zyrapi), Australi, Amerikë, Bosnje e gjetiu dhe nëpër qendra të Kosovës, si Prizren, Prishtinë, Therandë etj.

Në vitin 1879 konzulli rus Jastrebovi në Prizren i shënon 51 shtëpi myslimane (shqiptare), dhe 12 serbe (si duket shtëpi shqiptare katolike), ndërsa J. Cvijiqi i shënon vetëm 2 shtëpi serbe në vitin 1910. Mirëpo, në dokumentin arkivor të vitit 1903, nuk përmendet se në këtë vendbanim jeton popullata serbe.

Shënimet statistikore: 
në vitin 1913 kishte 949 banorë;
në vitin 1919 – 114 shtëpi shqiptare me 800 banorë; 
në vitin 1921 – 111 shtëpi me 580 banorë; 
në vitin 1948 – 169 shtëpi me 1172 banorë; 
në vitin 1953 – 179 shtëpi me 1308 banorë; 
në vitin 1961 – 204 shtëpi me 1507 banorë (1475 shqiptarë, 27 serbë, 5 të tjerë); 
në vitin 1971 – 255 shtëpi me 2122 banorë (2119 shqiptarë, 1 serb, 2 të tjerë); 
në vitin 1981 – 318 shtëpi me 2.829 banorë (2.828 shqiptarë, 1 të tjerë).

Ky fshat para agresionit serb të viteve 1998-99 kishte rreth 600 shtëpi me rreth 4450 banorë shqiptarë dhe 5 familje rome. Gjatë këtyre dy viteve fshati përjetoi tri ofenziva të ashpra të armikut gjakatar. Nga barbarët serbë e u vranë e masakruan 18 persona civilë të pafajshëm, prej tyre edhe fëmija dyvjeçar dhe dy gra shtatëzëna, kurse dy persona të tjerë konsiderohen të zhdukur. 

Në fshat u mobilizuan 140 djelmosha, 6 prej të cilëve ranë në mbrojtje të atdheut. Në ofensivën e parë në gusht të vitit 1998, policia dhe ushtria serbe kanë granatuar fshatin dhe kanë djegur 220 shtëpi në tërësi. Kurse në mars të vitit 1999 fshati sërish u granatua, u dogj, përveç 20 shtëpive. Në këtë ofensivë u dogj edhe ambulanca e fshatit dhe një pjesë e shkollës. Xhamia e fshatit është granatuar dhe djegur brenda, ndërsa minarja ishte minuar. Më 27 mars 1999 popullata e fshatit me dhunë është deportuar në Shqipëri. Sipas shënimeve të Kuvendit Komunal në vitin 2000 kishte 4.350 banorë.