Ballkani do ta kërkojë sot kalimin historik në rrethin e dytë kualifikues të Championsit

Ballkani do ta kërkojë sot kualifikimin historik në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Therandasit debutuan në garat evropiane javën e kaluar duke luajtur për herë të parë në histori të tyre.

Ata barazuan 1:1 me Zalgirisin në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues të kësaj gare, shkruan “Gazeta Express”.

E tash, kampioni e ka marrë rrugën drejt Lituanisë me optimizëm për ta siguruar kualifikimin në rrethin e dytë, ku do ta priste Malmo e Suedisë.

Por, ekipi Portokalli është i vetëdijshëm se ky do të jetë një mision i vështirë pasi Zalgirisi ka më shumë përvojë ndërkombëtare dhe mund të jetë më i përgatitur në momente vendimtare.

Prandaj edhe konsiderohet si favorit në këtë lojë ekipi vendës, shkruan “Gazeta Express”.

Megjithatë, ekipi i Ilir Dajës nuk e ka ndërmend të dorëzohet deri në fund dhe do ta kërkojë fitoren më të madhe në histori të klubit.

Edhe nëse eliminohet eventualisht, për Ballkanin s’do të marrë fund eksperienca evropiane për sivjet pasi ky ekip do t’i vazhdonte garat në Conference League.

Ndeshja ndërmjet Zalgirisit dhe Ballkanit do të luhet sot në “LFF Stadium” në Vilnius duke filluar nga ora 18:00. /Gazeta Express/