Ekskluzive: Këta janë katër hajnat e arrestuar gjatë aksionit në Prizren, dyshohen për grabitjen në marketin ‘Lanti-B’

Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për një aksion që u zhvillua në disa lokacione të Prizrenit, me qëllim kapjen e të dyshuarve për grabitjen e armatosur që ndodhi më 12 qershor, në marketin ‘Lanti-B’ në rrugën ‘Besim Shala’. 

Katër persona u arrestuan lidhur me këtë rast dhe të njëjtit janë ndaluar për 48 orë. Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Sefer Krasniqin, Luan Bytyqin, Drilon Saramati dhe Gzim Pulaj, të moshave të reja.

Ata u arrestuan pas më shumë se një muaji në arrati, nën dyshimet se kryen grabitjen e armatosur në këtë market, ku vodhën 600 euro duke terrorizuar punëtorët. 

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se arrestimi i të dyshuarve erdhi pas bastisjeve që u kryen në lagjen ‘Bajram Curri’, Dobrusht dhe Vlashnje, gjatë ditës së premte. Përveç që u kapën të dyshuarit, Hetimet Rajonale kanë gjetur prova që dëshmojnë përfshirjen e tyre në rast. 

Gjatë aksionit që u zhvillua në këto lokacione, Sinjali mëson se u gjetën veshmbathjet e të dyshuarve, të cilat i kanë pasur të veshura gjatë kryerjes së grabitjes dhe ndërlidhen me pamjet e siguruara për rastin. 

Por si ndodhi rasti? 

Gazeta Sinjali më 13 qershor ka publikuar detajet e grabitjes Ngjarja kishte ndodhur më 12 qershor rreth orës 21:30 në marketin ‘Lanti-B’ në rrugën ‘Besim Shala’ në Prizren. 

Punëtorët e marketit kanë qenë duke punuar kur janë ballafaquar me të dyshuarit e maskuar, të cilët nën kërcënimin e armës kanë arritur që të marrin rreth 600 euro nga arka. Pasi kryen këtë veprim, hajnat kishin ikur nga vendi i ngjarjes për një drejtim të panjohur. 

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/