Pas kalimit në ‘play-off’, klubet europiane interesohen për dy yjet e Ballkanit

Për herë të parë në historinë e futbollit kosovar një skuadër arriti në fazën ‘play-off’ të garave europiane dhe ajo është Ballkani. Paraqitjet e shkëlqyeshme të futbollistëve në këtë aventurë dhe menjëherë ka filluar interesimi nga klubet europiane. Siç mëson Gazeta Metro, Albion Rrahmani dhe Ermal Krasniqi veçse janë në ‘radarin’ e disa skuadrave.

Burime të sigurta të Gazeta Metro kanë bërë të ditur që interesimi për të dy futbollistët vjen nga liga si Norvegjia, Hungaria, Turqia dhe Belgjika.

Por, ende nuk ka pasur asnjë ofertë konkrete në drejtim të skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja.

I njëjti burim për Gazeta Metro (emër i njohur për redaksinë) tregon se është e vështirë të diskutohet në këtë kohë për ndonjë lëvizje të mundshme, pasi i gjithë ekipi është komplet i përqendruar për ndeshjet ndaj Shkupit në Conference League.

Qendërsulmuesi nga Podujeva, Albion Rrahmani, sezonin e kaluar në Superligën e Kosovës nuk është se ka pasur edhe shumë minuta te Ballkani. Në total ai zhvilloi vetëm 14 ndeshje dhe shënoi tre gola.

Histori krejt tjetër është në ndeshjet europiane. 21-vjeçari në katër takime si titullar ka shënuar gjashtë gola dhe njëherazi është edhe golashënuesi më i mirë në Conference League.

I njohur edhe me nofkën ‘Lewandowski’ ai ka kontratë me suharekasit deri në qershor të 2024.

Një ndër lojtarët më të mirë në Kosovë pa dyshim se është anësori, Ermal Krasniqi. Ai edhe pse u kritikua mjaft shumë për disa raste të humbura ndaj Zalgiris, në fund i ‘mbylli gojën’ të gjithëve dhe u bë krucial në suksesin e klubit.

Me tre asistime dhe dy gola në gjashtë ndeshje (2 Ligën e Kampionëve, 4 Conference League), malishevasi shihet si pika kyçe në fazën e sulmit te kampionët e Kosovës.

Kujtojmë se ndeshja e parë mes Ballkanit dhe Shkupit në fazën e ‘play-offit’ do të zhvillohet të enjten e ardhshme, më 18 gusht në ‘Todor Proeski’, kurse ajo kthyese pas një jave më 25 gusht në ‘Fadil Vokrri’.