Serbia publikon “disclaimer”: Dokumentet e Kosovës i pranojmë për arsye praktike, nuk e njohim pavarësinë

Në Serbi është bërë publike një letër që do të vendoset në pjesën serbe të kufirit, ku tregohet se si dokumentet e Republikës së Kosovës do të pranohen për lëvizje të lirë, por se nuk nënkuptojnë pranimin e pavarësisë së Kosovës.

“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga Prishtina (Kosova) bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet lëvizja e tyre e lirë. Në përputhje me Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë të arritur në vitin 2011, nuk mund të pranohet si njohje e pavarësisë së njëanshme të Kosovës, dhe është pa paragjykuar statusin final të Kosovës, as nuk mund të interpretohet se Serbia heq dorë nga të drejtat e veta sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, shkruhet në dokument.

Arritjen e marrëveshjes e njoftoi të shtunën pasdite, shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borell dhe ajo u përshëndet nga faktori ndërkombëtar.

Për herë të parë, Serbia do t’i pranojë letërnjoftimet e Republikës së Kosovës, pa dokumentin shtesë që ua jepte shtetasve të Kosovës që hyjnë atje.