Viti i ri shkollor në Shqipëri e Kosovë nis me Abetaren e unifikuar

Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi sot takoi mësues të klasave të para, me të cilët ndau për herë të parë Abetaren e re të Përbashkët Unike që do të përdoret në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.

Ky lajm nënkupton se viti i ri shkollor në Shqipëri e Kosovë nis me abetaren e përbashkët unike, përcjell INA. Ministrja Kushi ka ndarë lajmin me disa rresta në rrjetet sociale:

“Sot është dita e parë që mësuesit tanë në të gjithë vendin kthehen nga pushimet dhe fillojnë intensivisht punën për t’u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor.

Nuk mund të nisnim më mbarë se sa me trajnimet e para të mësuesve për Abetaren e Përbashkët Unike, e cila tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi.

Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me Ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë, ku prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Suksese dhe punë të mbarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës! (INA)