Jasharaj nuk zmbrapset: 1 shtatori do t’i gjejë nxënësit në shtëpi e mësimdhënësit në grevë

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë sot se greva është duke vazhduar sipas planit dhe nëse Qeveria Kurti nuk reflekton në kërkesat e tyre, nxënësit më 1 shtator do të jenë nëpër shtëpi dhe mësimdhënësit në grevë, raporton Zeri.info.

Jasharaj iu përgjigj edhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili dje tha se grevistët nuk do të marrin paga nga shteti për ditët sa nuk do të punojnë, pasi sipas tij, kjo është përgjegjësi e sindikatave.

“Për ta hequr një medyshje që Qeveria Kurti po mundohet ta imoponojë që nuk është vullnet i grevistëve, por janë të diktuar, pra ne punojmë me vullnetin e grevistëve dhe greva do të zgjasë sa të thonë ata ose deri në momentin kur Qeveria Kurti ta ndryshojë qasjen ndaj dialogut dhe sindikatave. Pra greva ka rrjedh të mbarë dhe greva do të duket më e fuqishme më 1 shtator, pasi nëse vazhdohet kështu nxënësit do t’i gjejë në shtëpi, mësimdhënësit në grevë që do të vazhdojë deri në realizimin e këresave tona”, ka thënë Jasharaj në një konferencë për media.