Suharekë: 36-vjeçari tenton t’i japë fund jetës së tij, konsumon sasi të mëdha qetësuesish

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në fshatin Greikoc në komunën e Suharekës, ku një burrë dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës së tij.

Burime brenda Emergjencës kanë bërë të ditur se kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi një person dyshohej se ishte në rrezik për jetën.

Ekipi mjekësor ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur një burrë i cili dyshohet se ka konsumuar sasi të mëdha të ilaçeve për qetësim. Ata i kanë ofruar 36-vjeçarit ndihmën e parë dhe më pas e kanë transferuar atë në spitalin rajonal në Prizren ku po vazhdon të trajtohet.

Po ashtu është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku ndër të tjera kanë kontaktuar edhe Prokurorin e Shtetit. Ky i fundit ka urdhëruar që rasti të cilësohet si ‘Vetëvrasje në tentativë’.