Suharekë: Kërcënohet drejtori i shkollës që e përjashtoi arsimtaren me shami

Drejtori i Shkollës “Flamuri i Arbërit”, Liman Bytyqi, në fshatin Reshtan të Suharekës është kërcënuar seriozisht nga një qytetar në rrjetin social Facebook, pas vendimit të Këshillit Drejtues të shkollës për përjashtimin nga puna të arsimtares që bartte shami, raporton Gazeta Sinjali. 

Kështu kanë bërë të ditur burimet e Sinjalit nga Prokuroria dhe kanë njoftuar se tashmë është iniciuar rast, me urdhër të Prokurorit të Shtetit. 

Në dëshminë e drejtorit të dhënë para hetuesve policorë thuhet se në vazhdimësi është sharë e kanosur në rrjete sociale nga persona të ndryshëm. Ndër kërcënimet që ka marrë, sipas informacioneve të para është edhe një mesazh me fjalët “damarët e qafës kam me t’i kputë me thikë”.

Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër të nisin hetimet për veprën penale “Kanosja”. 

Kërcënimet ndaj tij dyshohet se kanë ardhur pasi u përjashtua nga puna, arsimtarja e kësaj shkolle, Remzie Lez, për shkak të bartjes së shamisë. Ky vendim është marrë nga Këshilli Drejtues i Shkollës, që në mënyrë unanime, ka vendosur që Lezi të përjashtohet nga e drejta për ta ushtruar profesionin e saj.

“Duke u mbështetur në UA NR 03/2016, neni 3 pika 7, që ndalon bartjen e uniformës fetare, i gjithë Këshilli unanimisht vendosi, që nuk i lejohet arsimtares së matematikës, z. Remzie Lezi të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë me uniformë fetare”, thuhet në dokument.