Bali Muharremaj: Mësuesja me shami do t’a vazhdoj punën

Kryetari i Suharekës konfirmon se mësuesja me mbulesë është kthyer në punë

Një javë më parë është raportuar në media se arsimtarja e matematikës, Remzie Lezi ishte përjashtuar nga Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Flamuri i Arbrit” në Komunën e Suharekës, kjo për shkak se mbante shami. Por, një javë pas është konfirmuar kthimi i mësueses Remzie Lezi në vendin e punës.

Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, derisa shtoi se arsimtarja Lezi nga e hëna veçse ia ka filluar punës.

“Ajo është duke vazhdu punën. Ajo prej të hënës është duke shku në punë. Unë e zbatoj ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Unë kam kërku raport nga Drejtoria e Arsimit, e kam marrë raportin, kam lypë interpretim, e kam kry interpretimin. Prej të hënës ajo është në punë”, deklaroi Muharremaj.

Kujtojmë se një javë më parë, avokati i mësuesës Lezi, Muhamet Mujaj, ka treguar për Insajderin se ajo ishte ofenduar dhe nuk është lejuar të hyjë as brenda në shkollë.

“Jam kanë vet aty të premten e kam pa gjendjen qysh është. Drejtori është sjellë në mënyrë të vrazhdë se ka lanë asnjëherë me hy as brenda në shkollë, pa asnjë shkresë zyrtare, i ka bërë dhunë psiqike dhe e ka fyer me fjalë të ndyta”- ka thënë avokati Mujaj në një prononcim për Gazetën Insajderi.