Ylli pret sot në shtëpi Prishtinën, kampionët nuk njohin humbje nga kryeqytetasit në 12 ndeshjet e fundit

Golden Eagle Ylli dhe Sigal Prishtina do të zhvillojnë sot derbin e nxehtë në kuadër të xhiros së dytë të ediconit të ri të “Prince Caffe Superligës”. 

Suharekasit do t’i mirëpresin kryeqytetasit në palestrën “13 qershori” në Suharekë, në ndeshjen që fillon nga ora 17:00, shkruan Sinjali Sport. 

Të dy skuadrat pësuan disfata pas xhiros së parë të edicionit të ri, me Yllin që u mposht në udhëtim nga Rahoveci, kurse kryeqytetasit u mposhtën nga Peja në shtëpi. 

llit në xhiron e parë i mungoi trajneri Adis Beciragic, por do të kthehet në stolin e suharekasve sot, kurse Prishtina do të jetë pa trajnerin turk, Ekrem Memnun i cili është larguar nga stoli i kryeqytetasve vetëm një ndeshje pasi e zhvilloi me klubin bardh e kaltër. 

Ndërsa na ndajnë edhe disa orë nga kjo sfidë, Ylli regjistron një ecuri të jashtëzakonshme në përballjet e fundit direkte ndaj Prishtinës. 

Suharekasit kanë fituar secilën nga 12 përballjet e fundit (Superligë dhe Ligë Unike), duke mos pësuar disfatë nga Prishtina që nga marsi i vitit 2020. 

Mbetet të shihet nëse Prishtina do ta thyejë këtë maktht sonte, apo Ylli do të vazhdojë superioritetin ndaj kryeqytetasve.