“Ma ka djeg zemrën, ma mirë te kish mytë”/ Babai i 9-vjeçarit në Suharekë thotë se automekaniku e goditi fëmijën qëllimisht

Fëmija 9-vjeçar A.Sh., ditën e së premtes u dërgua me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, si pasojë e lëndimeve të rënda që kishte marrë në kokë e të cilat dyshohet se ia shkaktoi fqinji i familjes, automekaniku S.B. [Emer i njohur për Redaksinë]

S.B dyshohet se gjatë kohës që po riparonte një veturë, ka goditur me çelës të punës të miturin, të cilit i ka shkaktuar frakturë në kafkë. Si pasojë e lëndimeve të marra, fëmija nga QKMF-ja e Suharekës është transferuar për në spitalin rajonal në Prizren e më pas është nisur me urgjencë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku edhe po vazhdon trajtimin mjekësor pas ndërhyrjes kirurgjikale të cilës iu nënshtrua.

Sipas informacioneve të para, rasti kishte ndodhur aksidentalisht, mirëpo një gjë të tillë e mohojnë kategorikisht familjarët e fëmijës. Babai i 9-vjeçares, Hisen Shehu, është deklaruar për Sinjalin lidhur me atë që ka ndodhur.

Shehu ka thënë se S.B e ka goditur qëllimisht në kokë djalin e tij. Ai pohon se nuk kanë pasur asnjëherë telashe me të dyshuarin, mirëpo këtë veprim sipas tij, ai e ka bërë për arsyen e vetme se i përkasin komunitetit ashkali.

Qëllimisht ka ndodhë, unë 99.9 për qind jam i sigurt që qëllimisht i ka ra, se fmijes nuk i mëshohet e me ia qitë trutë jashtë. Ai trunin jashtë ia ka qitë. Qëtash djali i ka mbush 9-vjeç, ai i ka 26-vjeç. Ai është drogirash, ai i ka ra me mbytë krejtë. Ai ia ka hek copë. Ne kurrë nuk kemi pasë probleme me të, por vetëm pse është ashkali i ka ra. Pse nuk i ka ra fmijes të vet ose fmijes të shqiptarit, po i ka ra fmijes tem 9-vjeç”, tha babai i të miturit për Sinjalin.

Sipas tij, pas goditjes fëmija ka humbur menjëherë vetëdijen dhe është dërguar në Emergjencën e QKMF-së në Suharekë. Sa i përket të dyshuarit, i cili është liruar mbrëmë, Shehu thotë se ka folur me të përmes telefonit. 

Më ka thirrë mbramë në telefon më ka thanë që unë t’i kom ra djalit, po pahiri. I thashë pse s’i ke ra shuplakë, po i ke ra ia ke qitë trunin jashtë. Edhe ia ka hup vetëdijen, e ka rrëzu, pa vetëdije u kanë djali. E kanë marrë Policia e kanë kapë e kanë çu në Emergjencë në Suharekë. Suhareka e ka çu në Prizren, Prizreni e ka çu në Prishtinë. Ka mujtë me ia dhanë nji shuplakë nëse e ka sha”, tha Shehu.

Gjendja shëndetësore e fëmijës sipas prindit është e rëndë, pasi që sipas asaj që thonë mjekët, ai ka mundësi të humb memorien. Por pavarësisht kësaj, djali ka qenë në gjendje që të flasë dhe të tregojë atë se çka ka ndodhur. 

E kemi fëmijën në spital në Prishtinë. Gjendja e djalit nuk është e mirë, ka mundësi që e humb memorien, mjektë s’po e lajnë me flejtë se e ka prekë në tru. Djali po tregon krejt, po thotë që ka ndodh qëllimisht. Ka marrë trauma, çdo pesë sekonda, dhjetë sekonda në hava po më kcen djali. Doktori më ka thanë  që ka mundësi me hup vetëdijen. Kur i ka ra kockën ia ka thy edhe krejt krytë e ka të krisun. Kocka i ka hi mrena në tru. Ma mirë t’ma kish mytë, se që ma ka ba qëta, ma ka lanë gjallë e për gazepi fëmijën. Ai është fmija jem. Ma ka djeg zemrën”, shtoi tutje Shehu.

Lidhur me rastin Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetimet dhe rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’.

Të dyshuarit S.B. Prokurori i Shtetit i kishte caktuar masën e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.