Suharekë: Gruaja e denoncon bashkëshortin e saj në Polici, vet kthehet të jetojë te prindërit

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur sot rreth orës 14:40 në fshatin Maqitevë të Suharekës, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Rastin në Polici e ka denoncuar 22-vjeçarja e cila po ashtu si pasojë e lëndimeve të marra ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë.

Ajo para hetuesve policorë ka deklaruar se i dyshuari ka ushtruar dhunë ndaj saj që një kohë të gjatë dhe si pasojë e kësaj ka kërkuar që të kthehet të jetojë në shtëpinë e prindërve.

Njësitë policore me të marrë informatën janë vënë në veprim dhe kanë arrestuar personin e dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion për intervistim.

Me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.