A do të ekzekutohen pagat për mësuesit grevistë?

Ajo që vazhdon të mbetet e paqartë në këtë situatë është forma e ekzekutimit të pagave për grevistët. Drejtorët komunalë të Arsimit ka nisur t’i shqetësojë paralajmërimi i Qeverisë se grevistët nuk do t’i marrin pagat për aq kohë sa janë në grevë. 

Ndaj këtyre paralajmërimeve ka reaguar Sindikata e Arsimit dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës. Mosekzekutimin e pagave e vlerësojnë si shkelje ligjore.

Tri ditë para se të bëhet ekzekutimi i pagave për sektorin publik, ka mbetur e paqartë nëse pagat do t’i marrin edhe grevistët.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, thotë se ndalja e mundshme e pagave për punëtorët grevistë është e paligjshme.

“Nëse nuk ekzekutohen pagat deri më 5 tetor sepse afati I fundit është kjo datë, atëherë mund të ketë edhe padi nga secili punëmarrës nga institucionet për shkak të mosekzekutimit të pagave për ata që janë në grevë sepse është e padrejtë që të mos ekzekutohen pagat nga dikush që nuk u jep punë atyre”, tha për RTK-në Agim Aliu, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Shqetësim të njëjtë me kryetarin Aliu ndajnë edhe drejtorët komunalë të arsimit në Drenas dhe Fushë Kosovës, të cilët më 10 shtator kanë përcjellë listën e pagave në Ministri të Financave.