Ballkani thërret tifozët për ndeshjen me Sllavia Pragën: Na duhet përkrahja

Të enjten Ballkani do ta zhvillojë ndeshjen e radhës në Ligën e Konferencës, të vlefshme për grupin G ku do të ballafaqohet me Sllavia Pragën.

Humbja nga Sivaspori e ka komplikuar tej mase situatën e Ballkani në këtë grup pasi tani i nevojitet vetëm fitorja për të vazhduar luftën drejtë kualifikimit për në fazën e eliminimit direkt të këtij kompeticioni evropian, raporton KosovaPress.

Kampioni i Kosovës e pret skuadrën çeke në stadiumin “Fadil Vokrri” të enjten nga ora 21:00.

Para ndeshjes, Ballkani ka ftuar tifozët që të jenë në numër sa më të madh në stadium për t’i dhënë mbështetje lojtarëve në fushë dhe për ta vazhduar kështu shkrimin e historisë në futbollin e Kosovës.

“Na duhet përkrahja e të gjithëve, andaj të gjithë të enjten për Ballkanin në stadiumin “Fadil Vokrri”, thuhet në thirrjet e skuadrës nga Suhareka.

Të dy skuadra kanë nga katër pikë në pozita tre dhe katër të këtij grupi, ndërsa dy rivalët tjerë CFR Cluj dhe Sicaspori e kryesojnë këtë grup me nga shtatë pikë.