Kush është Liridon Fandaj, shefi në “Vetëvendosje” i përfshirë në dosjen e sekserëve?

Emri i ish-shefit të Vetëvendosjes në Suharekë, Liridon Fandaj, i arrestuar për mashtrim me subvencione, është përmendur në dosjen e sekserëve që blinin ndikimin e kryeprokurorit të Apelit. “Kallxo Përnime” ka publikuar rrëfimin e biznesmenit Sali Dakaj i cili pretendon se i dha 150 mijë euro përmes Liridon Fandajt, që lënda e një borxhi prej 3.5 milionë euro të kthehet në favor të tij, shkruan Gazeta Insajderi.

Në rrëfimin e tij Dakaj ka thënë se Liridon Fandaj i ka kërkuar 300 mijë euro për ta kthyer lëndën në favor të tijën.

Dakaj ka treguar se e kishte një lëndë në Gjykatën e Prishtinës, një përmbarim borxhi, dhe gjatë kohës sa ka pritur të merrej vendimi, tek ai kishte shkuar Liridon Fandaj, i cili i kishte thënë se një shok i tij, Hasan Morina, e ka një lidhje në Prokurori, që është Haxhi Dërguti, kryeprokurori i Apelit. Fandaj i kishte thënë Dakajt se nëse pranon t’i japë 300 mijë euro lënda kthehet në favorin e tij, përndryshe do ta humbte lëndën.

Unë e kam pas një lëndë ne Gjykatën e Prishtinës, një përmbarim borxhi me kompaninë “ExCom” dhe gjatë kohës sa kam pritë me u kry vendimi, tek unë ka ardhur Liridon Fandaj i cili me ka thanë se një shok i tij, Hasan Morina, e ka një lidhje në prokurori, që është Haxhi Dërguti, kryeprokurori i Apelit dhe nëse ti pranon me i dhanë 300 mijë euro lënda kthehet në favor tëndin, përndryshe ke me hup lëndën. Unë duke e pa që lënda nuk po kryhet u detyrova me i gjetë borxh 150 mijë euro dhe ia kam dhanë Hasan Morinës, i cili më ka thënë se bashkë me Liridon Fandën ia kanë çu në shtëpi Haxhi Dergutit” – theksoi Dakaj për emisionin “Kallxo Përnime”.

Ish- asamblisti i VV-së në Suharekë ishte arrestuar për mashtrim me subvencione

Ish-Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës, Liridon Fandaj, në qershor të këtij viti ishte arrestuar nën dyshimin për mashtrim me subvencione.

Fandaj ishte një nga 11 të arrestuarit nga Policia e Kosovës.

Operacioni u zhvillua nga Krimet Ekonomike në Pejë, Istog, Deçan, Viti Suharekë dhe Ferizaj.

Të arrestuarit gjatë këtij aksioni dyshohet së janë përfshirë në veprat penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘dhënia e ryshfetit’, ‘mashtrimi me subvencione’ ‘falsifikimi i dokumenteve zyrtare’ dhe ‘pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare’. / Gazeta Insajderi/