Familja Vata nga Suhareka, kultivuese e 6000 pulave [VIDEO]

E filloi me një kotec dhe 70 pula në të, andaj vazhdon ta mbajë akoma si kujtim të përhershëm se si e nisi e ku është sot.

Me mbi 6.000 sosh, familja Vata është kultivuesja e pulave të racës italiane.

“Biznesin e kemi filluar më 2015. Çdo vit për shkak të kërkesave kemi mbërri në numrin mbi 6000. Është punë që ia vlen. Jam e kënaqur”, ka thënë Ylfete Vata.

Bashkëpunëtori më i madh i saj është bashkëshorti Fatmir Vata. Bashkë kujdesen për mirëmbajtjen e pulave e në ndihmë u dalin edhe anëtarët tjerë të familjes.

Vata rrëfen për zhvillimin e biznesit, i cili mori hov në pak vjet.

“Kemi filluar qe shtatë vjet, është punë e leverdishme dhe biznesi ecën mirë. E gjithë familja është e angazhuar në këtë pjesë. Koha që ua kushtojmë është maksimale, duhet të përkujdesemi për to, sepse i takojnë natyrës së lirë”, ka thënë Fatmiri.

Vezët, zogjtë apo pulat janë kërkesat për të cilat klientët i drejtohen fermës në fshatin Sallagrazhdë të Suharekës.

Fermeri thotë se interesimi është i lartë për blerje, por mundësitë e mangëta e limitojnë biznesin.

“Kërkesat janë shumë të mëdha nga klientët që duan të blejnë pula apo vezë, mirëpo përkrahja është zero. Flas për bujqësinë, ka rënë në nivel shumë të ulët. Po mundohemi t’i plotësojmë nevojat e shumta që i kemi dhe të sjellim në treg kualitet të mirë, por pa përkrahje të shtetit dhe donatorëve vështirë se po ia dalim”, ka shtuar ai.

Në orën 5 të mëngjesit bie alarmi i tyre për të filluar ditën, e cila përfundon në orët e vona të mbrëmjes.

Punën intensive me përkujdesjen për pulat fermeri nuk e quan lodhje, por kënaqësi.

Zhvillimin e biznesit Vata e sheh si mundësi të mirë për fëmijët, të cilëve thotë se do t’ua trashëgojë.

Sipas tij, zgjidhja e vetme që të rinjtë të mos largohen nga vendi do të ishte krijimi i vendeve të reja të punës dhe ofrimi i mundësive për ta.

Si zgjidhje të mundshme ai e konsideron angazhimin në bujqësi.

“Fëmijët e mi kanë dëshirë ta vazhdojnë këtë biznes. Për ne është me rëndësi ta kemi ushqimin e shëndetshëm. Pse të mos kemi ferma të tjera në të cilat punojnë djemtë e të rinjtë, vajzat e reja, burrat e gratë. Pra, pse të mos e zhvillojmë vendin tonë, por si zgjidhje të rinjtë po e shohin emigrimin nga Kosova. Vendi duhet të investojë në bujqësi për të krijuar vende të reja të punës”, ka thënë Fatmir.

Suhareka ka edhe shumë gra të tjera fermerë, të cilat merren me zhvillimin e bujqësisë. Punët në fshat i kanë bërë bashkë mbi 15 gra, të cilat kanë formuar edhe shoqatë për t’u organizuar e për të arritur suksese në këtë lëmë.