Plas sherri në një familje në Suharekë, burri e kërcënon gruan se do ta vrasë

Shifrat e rasteve të dhunës në familje në vendin tonë janë përditë në rritje, ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Shkaku i problemeve familjare në stacion policor në Suharekë kanë përfunduar edhe një çift nga fshati Studeqan.

Sinjali mëson se gruaja ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje, e për të cilin ka deklaruar se e ka ofenduar me fjalë të rënda e pos tjerash e ka kërcënuar edhe me vdekje.

Bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari nuk po e lejonte viktimën që të kthehet në Suedi ku po punonte deri para katër muajsh, duke ia marrë asaj kartelën bankare dhe certifikatën e nënshtetësisë së djalit të tyre.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa viktima bashkë me fëmijët e saj është dërguar në strehimore.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Dhunë në famije’ dhe ‘Kanosje’.

Kujtojmë se shumë raste të dhunës në familje në vendin tonë kanë përfunduar tragjikisht për gratë, të cilat ndonëse kanë denoncuar bashkëshortët e tyre abuzues, thirrja e tyre për ndihmë ka hasur në vesh të shurdhër nga ana e shtetit.