Ende pa u inaguruar memoriali, emrat e viktimave të “Familjes Berisha” kanë filluar të fshihen

Emrat e rreth 50 anëtarëve të familjes Berisha të vrarë nga forcat paramilitare serbe tashmë janë gravuar në murin që gjendet afër varreve ku edhe pushojnë anëtarët e familjes Berisha.

Memoriali që gjendet disa qindra metra larg nga lokali ku u vranë anëtarët e kësaj familje është në përfundim e sipër, memorial ky që do t’u kujtoj brezave që vijnë, sakrificën e familjes Berisha që dhanë për vendin.

Por ende pa inaguruar punimet nga ana e institucioneve, emrat e anëtarëve të familjes Berisha të gravuar në pllakë kanë filluar të fshihen.

I kontaktuar nga SuharekaOnline kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se për situatën e tanishme të paraqitur sipas fotografive tuaja, do të interesohemi si institucione komunale, mirëpo ende nuk është bërë pranimi teknik i punimeve dhe nuk është bërë ende inagurimi për shkak edhe të pandemisë. 

Ndër tjera Muharremaj ka treguar se ndërtimi i kompleksit të Memorialit të “Familjes Berisha” në Suharekë, ka qenë nën mbikqyrjen dhe menaxhimin e Agjensisë për Menaxhmin e Komplekseve Memoriale.

SuharekaOnline ka dërguar pyetjet edhe në adresë të Drejtorit të Agjensisë për Menaxhmin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka marr përgjigje.

21 vjet më parë, forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të rreth 50 anëtarëve të familjes Berisha, e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetojë.

E tëra nisi kur te shtëpitë e kësaj familjeje, që nuk gjendet më larg se 100 metra nga stacioni policor i Suharekës, do të shfaqeshin paramilitarët serbë, që disa do t’i vrisnin në pragun e shtëpisë e të tjerët do t’i dëbonin nga shtëpia e tyre, duke i dërguar në lokalin kafiteri, ku edhe do të ndodhte masakra. Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha.

SuharekaOnline