Shembull ndershmërie në Suharekë: Qytetarja gjen 300 euro dhe i dorëzon në polici

Një rast i ndershmërisë qytetare është regjistruar në Suharekë, ku një qytetare ka gjetur një shumë parash në tokë dhe i ka dorëzuar menjëherë në polici.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 6 mars 2026. Qytetarja me inicialet V.F., nga fshati Peqan i Suharekës, duke kaluar pranë një restoranti në qytet, ka gjetur në tokë 300 euro para të gatshme.

Pas gjetjes së parave, ajo ka vendosur të raportojë rastin dhe rreth orës 20:15 të së njëjtës ditë i ka dorëzuar mjetet financiare në Stacionin Policor në Suharekë.

Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të identifikuar pronarin e parave. Pas verifikimit të kamerave të sigurisë, është identifikuar personi që i kishte humbur ato – një qytetar nga Suhareka.

Paratë e gjetura më pas i janë dorëzuar pronarit në stacionin policor.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetaren për veprimin e saj shembullor dhe ka inkurajuar qytetarët që të ndjekin këtë model të ndershmërisë dhe bashkëpunimit me institucionet.

Po ashtu, Policia ka rikujtuar se marrja e sendit të huaj, edhe nëse gjendet në rrugë apo në ndonjë vend tjetër, përbën vepër penale dhe është e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shpërndaje:FacebookWhatsApp