Dega e LDK-së në Suharekë ka reaguar pas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik në Komunën e Suharekës.
Sipas LDK-së, në këtë rast janë përfshirë gjashtë persona fizikë dhe një person juridik, ndërsa aktakuza lidhet me dyshime për keqpërdorim në projektet infrastrukturore komunale.
“Shqetësime të tilla i kemi ngritur vazhdimisht si LDK, si në debatet televizive ashtu edhe në Kuvendin e Komunës, gjithmonë të mbështetura në fakte dhe argumente konkrete”, thuhet në reagimin e degës.
LDK Suharekë ka akuzuar qeverisjen komunale se, sipas saj, ka vepruar më shumë në favor të interesave klienteliste sesa të interesit qytetar.
“Për fat të keq, pushteti komunal shpesh ka zgjedhur rrugën e shkeljeve ligjore në vend të ligjshmërisë dhe interesit qytetar. Aktakuza e fundit është një dëshmi tjetër që konfirmon shqetësimet tona të ngritura ndër vite”, thuhet më tej.
Nga kjo degë kanë deklaruar se do të vazhdojnë të monitorojnë dhe adresojnë çdo dyshim për shkelje ligjore në institucionet komunale.
LDK Suharekë ka theksuar se respektimi i ligjit, transparenca dhe mbrojtja e interesit publik duhet të jenë obligim për secilin institucion dhe secilin zyrtar publik.
Rasti mbetet në procedurë gjyqësore, ndërsa përgjegjësia eventuale penale mund të përcaktohet vetëm nga gjykata kompetente.
