“Komisioni Evropian në vjeshtë e rikonfirmon se Kosova i ka përmbushur kushtet për vizat”

Presidenca gjermane e Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian mendojnë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave dhe se liberalizimi duhet të ndodhë. Por, nuk kanë përgjigje të prerë se kur do të mund të jetë në rend dite vendimi për këtë në Këshillin e Bashkimit Evropian si dhe a kanë kërkuar disa shtete anëtare ndonjë raport të ri për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës.

Nga Komisioni Evropian kanë thënë se se sa i përket liberalizimit të vizave, “Komisioni Evropian qëndron prapa vlerësimit të dhënë që në korrik të vitit 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”.

Në pyetjen se a do të ketë ndonjë raport të ri, ky Komision ka thënë se raporton rregullisht në raportet vjetore të progresit për suksesin e Kosovës në fushat e ndryshme që janë të lidhura edhe me kriteret për liberalizim.

Raporti i fundit për këtë ishte ai i vitit 2019 dhe në të Komisioni kishte përsëritur vlerësimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë se Komisioni në vjeshtë, kur do të nxjerrë paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në to do të përfshijë edhe vlerësimin rreth përmbushjes së kritereve për liberalizim vizash nga ana e Kosovës. Në këtë moment, thonë burimet në Bruksel, pritet që Komisioni të përsërisë se Kosova vazhdon të përmbushë kriteret e nevojshme dhe se Komisioni e mban rekomandimin që vizat të hiqen për udhëtimin e shtetasve të Kosovës në vendet e BE-së dhe vendet tjera të zonës Shengen, të cilat nuk janë anëtare formale të BE-së si: Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Litenshtajni.

Nga disa burime diplomatike është dëgjuar se disa shtete të cilat hezitojnë të mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën –siç është rasti me Francën – kërkojnë një vlerësim të ri për të parë nëse Kosova vazhdon t’i përmbushë kushtet apo jo. Këto vende kanë disa vërejtje në fushën e sundimit të ligjit dhe disa shqetësime për numrin e azilkërkuesve nga Kosova, i cili, ndonëse është i vogël, megjithatë ekziston, sidomos në Francë.

Parlamenti Evropian po ashtu vazhdon të mbështesë liberalizimin e vizave. Për më tepër, shumë deputetë të Parlamentit Evropian i janë drejtuar Presidencës Gjermane që të vendosë në rend dite dhe të sigurojë që edhe për qytetarët e Kosovës të hiqen vizat. Ata kanë rikujtuar se Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk e gëzon këtë të drejtë.

Pengesa e vetme për liberalizim vizash tash qëndron te vendet anëtare të BE-së të cilat, me shumicë të kualifikuar duhet të vendosin në Këshill.

Burimet zyrtare nga Ministria e Jashtme Gjermane kanë thënë se Gjermania vlerëson përpjekjet e Kosovës në vitet e fundit në mënyrë që të përmbushen të gjitha kriteret, sidomos ato që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, të njëjtat burime rikujtojnë se vendimi për këtë duhet të merret në Këshill të Bashkimit Evropian.

“Në kuadër të kësaj, Gjermania mbështet Kosovën në rrugën e realizimit të liberalizimit të vizave. Për këtë qëllim tashmë kemi pasur bisedime në nivel ekspertësh mes përfaqësuesve të Kosovës dhe ekspertëve të Ministrive Federale të Jashtme dhe të Brendshme gjermane ku kemi diskutuar të gjitha çështjet e hapura” ka thënë ky burim.

Nga Ministria e Jashtme gjermane kanë rikujtuar edhe një prononcim të ministrit për Çështje Evropiane, Michael Roth para një muaji, ku ai ka thënë se sa i përket Kosovës “si BE duhet të zbatojmë atë që kemi premtuar dhe më në fund të ecim përpara në rrugën e liberalizimit të vizave”.

Burimet diplomatike në BE vlerësojnë ë se ende ka gjasa që liberalizimi i vizave të ndodhë para fundit të këtij viti nëse Gjermania, e cila ka kryesimin e radhës të Presidencës evropiane, angazhohet më shumë për këtë temë gjatë vjeshtës. Edhe pse është e mundur që të sigurohet shumica e kualifikuar në Këshillin e BE-së, gjithsesi do të ketë përpjekje që të sigurohet heqja e kundërshtimit të Francës dhe Holandës, dy shteteve të cilat deri më tash kanë hezituar më së shumti për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën./re