Arrestohet në flagrancë inspektori i ndërtimit, për ryshfetmarrje

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë (NJRHKEK), më 29.09.2020 ka pranuar palën ankuese, i cili ka deklaruar se është pronar i një firme ndërtimi që merret me ndërtime të larta. Ankuesi tregon se është duke e ndërtuar një objekt në një lagje të Prishtinës dhe se me gjithë faktin që posedon leje ndërtimi iu kanë ndaluar punimet nga një inspektor i ndërtimi i Komunës së Prishtinës dhe sipas tij, ky i fundit është duke i kërkuar ryshfet për t’ ia lejuar vazhdimin e punimeve.

NJHRKEK – Prishtinë pas pranimit të informatës, ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të verifikimit të informacionit që jep ankuesi, sigurohet simulimi i veprës penale (sigurimi i parave, fotografimi i parave që do përdoren për simulim). Dje, më 29.09.2020, në ora 17:00, në një restoruant, në Prishtinë, realizohet arrestimi në flagrancë i një të dyshuari i cili kishte pranuar një shumë parash nga ankuesi. Paratë e marra i gjenden në çantë personit të dyshuar.

Më këto veprime i dyshuari dyshohet se ka kryer veprat penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”. I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar të PTH-Prishtinë, ai me aktvendim për ndalim të dyshuarit është dërguar në mbajtje për 48 orë.\Indeksonline