Nga zero në hero: Problemet me lëndime, kryqëzimet për ‘golin’ ndaj Prishtinës dhe tani shpërthimi me fanellën e Ballkanit

Mirlind Daku është emri më i përfolur në futbollin kosovar këtë edicion dhe krejt kjo fal formës fantastike që po kalon djaloshi nga Gjilani, por që po luan te Ballkani i Suharekës.

Forma e jashtëzakonshme e tij ka bërë bujë të madhe edhe në vendet e mëdha si Italia dhe Franca, atje ku i kanë kushtuar disa artikuj fenomenit Daku, shkruan Reporteri.net.

22 vjeçari ka shënuar 14 gola deri tani në vetëm 7 xhiro në Superligë, derisa ai realizoi edhe me Kombëtarën U-21 të Kosovës në fitoren 1-0 kundër Andorrës.

Por, aventura e Dakut te Ballkani nuk nisi në mënyrën më të mirë të mundshme. Megjithatë, durimi, mundi e sakrifica tani po i shpërblehet.

Daku u transferua në janar te Ballkani në formë huazimi nga Osijek. Paraprakisht 22-vjeçari kishte qenë i huazuar te Kukësi, aty ku nuk arriti që të linte gjurmë.

Te Ballkani erdhi me disa probleme që kishte me një lëndim.

Më pas gjysmësezonin e mbylli me vetëm 5 gola të shënuara.

Ballkani edicionin e kaluar ishte duke luftuar për titull dhe në xhirot e fundit emocionet tek tifozët ishin të mëdha dhe dëshironin që titulli të vinte në Suharekë.

Në ndeshjen Ballkani – Prishtina suharekasit kishin nevojë për një fitore, por ky takim ishte mbyllur 2-2.

Ballkani këtë takim do të mund ta fitonte sikurse Daku në një rast nuk do ta prekte topin që po shkonte në drejtim të rrjetës.

Pas kësaj ndeshje tifozët e Ballkanit ishin të irrituar me ‘golin’ e Dakut që i kushtoi në fund skuadrës. Ai u fye nga tifozë të shumtë, pasi suharekasit po ëndërronin titullin.

Por, nuk kaluan pak ditë dhe situata u qetësua. Daku mori dashurinë e tifozëve përsëri pasi ato fjalë që ia thanë pas ndeshjes me Prishtinën ishin të momentit dhe krejt kjo u bë pasi skuadrës disi iu shuan gjasat për titull.

E si duket krejt kjo situatë që i ndodhi Dakut e bëri atë më të fortë. Sot ai është padyshim heroi i Ballkanit dhe i tifozëve të kësaj skuadre. Ai ka shënuar 14 gola deri tani, më shumë se të gjitha skuadrat tjera të Superligës.

Historia e Dakut te Ballkani është kjo, nga zero në hero. Në fillim erdhi me shumë bujë, pa mundur të tregojë kapacitetin e tij ku shkaku i lëndimeve ishte larg formës më të mirë të tij, pastaj erdhën pakënaqsitë e tifozëve pas ‘golit’ me Prishtinën dhe sot është heroi i Xhebrailave.

Nëse vazhdon me këtë ritëm ai do të shkruajë historinë në futbollin kosovar sa i përket golave të shënuara brenda një edicioni.GazetaSheshi