Bytyçi: Urgjentisht të hetohet kërcënimi ndaj Kurtit, të qartësohet për qytetarët nëse është i vërtetë apo sajesë e tij

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Avni Bytyçi ka kërkuar urgjentisht të hetohet rasti i kërcënimit ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pasi sipas tij është me rëndësi për qytetarët që të qartësohet nëse ka qenë i vërtetë kërcënimi, apo siç tha ai kjo mund të jetë një sajesë tjetër e kryeministrit në detyrë për të ndjellë panik e pasiguri.

Bytyçi në një postim të tij në rrjetin social Facebook, tha se kjo është një çështje shumë serioze.

“Kërcënimi më jetë i deklaruar nga Kryeministri tani më i shkarkuar nga e ashtuquajtura ‘Garda Vullnetare Shqiptare’ duhet të hetohet urgjentisht nga organet e rendit dhe të drejtësisë. Kjo është një çështje shumë serioze! Është më rendësi për qytetarët dhe për vendin tonë që të qartësohet saktë së a ka qenë i vërtetë ky kërcënim dhe nëse po, çfarë rreziku paraqet ky grup i padëgjuar më parë, por edhe të sqarohen dyshimet se kjo mund të jetë një sajesë tjetër e kryeministrit në detyrë për të ndjellë panik e pasiguri tek qytetarët, duke shfrytëzuar këtë rast edhe për t’i kërcënuar e frikësuar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Bytyçi.

Ndryshe, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte njoftuar se është kërcënuar nga një grup i ashtuquajtur “Garda Vullnetare Shqiptare”. /Telegrafi/