Një ngjarje e rëndë është shënuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku një paciente e mitur nga Mushtishti ka ndërruar jetë derisa ishte nën trajtim mjekësor në repartin e Pediatrisë.
Sipas burimeve spitalore, më 18 dhjetor 2025, rreth orës 16:00, ka ndërruar jetë një vajzë 12-vjeçare, e identifikuar me inicialet L.Sh., e cila ishte nga Mushtishti. E mitura ishte pranuar për trajtim një natë më parë, më 17 dhjetor, rreth orës 23:30.
Burimet bëjnë të ditur se për rastin është njoftuar Stacioni Policor në Prizren, ndërsa njësitë policore kanë dalë menjëherë në repartin e Pediatrisë, ku nga mjeku përgjegjës është konfirmuar vdekja e pacientes.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, përfshirë edhe Hetimet Rajonale. Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar i shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Hetim i vdekjes”.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i së miturës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rrethanat që kanë çuar deri te vdekja e vajzës nga Mushtishti mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.

